A u skadon afati fondeve të BE-së për Kosovën? Institucionet në vonesë, miliona euro në pritje

by engel

Edhe pse janari ka përfunduar dhe shkurti ka hyrë në ditët e tij të para, procesi zgjedhor në Kosovë ende nuk është finalizuar, duke pamundësuar themelimin e institucioneve të reja. Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje serioze rreth fatit të fondeve të Bashkimit Evropian, të dedikuara për Kosovën në kuadër të Planit të Rritjes.

Rreth 900 milionë euro fonde të BE-së vazhdojnë të mbeten në pritje të ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës. Nga Bashkimi Evropian konfirmojnë se, pavarësisht vonesave institucionale, Kosova vazhdon të jetë e kualifikuar për të përfituar deri në 882 milionë euro, por vetëm pas hyrjes në fuqi të marrëveshjeve ndërkombëtare përkatëse.

banner

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, ka deklaruar për KosovaPress se ratifikimi i këtyre marrëveshjeve është kusht i domosdoshëm për të bërë kërkesë për pagesë. Sipas saj, vonesat aktuale lidhen drejtpërdrejt me mosformimin e institucioneve pas dy proceseve zgjedhore të mbajtura vitin e kaluar.

“Kosova mbetet e kualifikuar për të marrë deri në 882 milionë euro në kuadër të Planit të Rritjes, por pa ratifikimin e marrëveshjeve për Facilitetin për Reforma dhe Rritje, nuk mund të bëhet asnjë kërkesë për pagesë. Ky instrument është i kufizuar në kohë, për periudhën 2024–2027, prandaj është në interes të Kosovës që procesi të përmbyllet sa më shpejt”, ka theksuar Hipper.

Në anën tjetër, nga Qeveria në detyrë fajësojnë opozitën për vonesat. Këshilltari i zëvendëskryeministrit në detyrë për Integrime Evropiane, Klisman Kadiu, thotë se marrëveshjet ishin propozuar për votim edhe në legjislaturën e kaluar, por u bllokuan nga partitë opozitare.

Sipas tij, po të ishin miratuar marrëveshjet, Kosova tashmë do ta kishte përfituar parafinancimin fillestar prej mbi 60 milionë eurosh. Megjithatë, ai thekson se qeveria në detyrë po vazhdon punën për zbatimin e reformave të dakorduara me BE-në dhe se ratifikimi i marrëveshjeve do të jetë prioritet i institucioneve të reja.

Ndërkohë, profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, vlerëson se ndonëse Kosova është në vonesë të konsiderueshme, fondeve ende nuk u ka skaduar afati. Ai sqaron se vetëm mjetet e parafinancimit janë të garantuara, ndërsa pjesa tjetër e fondeve kushtëzohet drejtpërdrejt me realizimin konkret të reformave.

“Vetëm rreth 61 milionë euro janë të sigurta si parafinancim. Të gjitha mjetet e tjera duhet të dëshmohen përmes reformave të përfunduara. Nuk është reale të mendohet se 880 milionë euro merren menjëherë”, thekson Arifi, duke shtuar se edhe me formimin e menjëhershëm të institucioneve, do të kërkohej një angazhim jashtëzakonisht i shpejtë për të mos humbur kohë të vlefshme.

Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian është një mekanizëm i ri financiar për vendet e Ballkanit Perëndimor, që synon përshpejtimin e reformave drejt integrimit evropian. Në kuadër të këtij plani, Kosova mund të përfitojë deri në 882.6 milionë euro, prej të cilave 253.3 milionë janë grante, ndërsa 629.3 milionë euro janë hua afatgjata.

Megjithatë, pa konstituimin e Kuvendit dhe ratifikimin e marrëveshjeve përkatëse, këto fonde mbeten ende vetëm në letër.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy