Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar të enjten me Papa Leo XIV, në një takim ku janë diskutuar çështje me rëndësi për Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimet rajonale.
Pas audiencës me Atin e Shenjtë, Rama ka zhvilluar edhe një takim zyrtar në Sekretarinë e Shtetit të Selisë së Shenjtë me kardinalin Pietro Parolin dhe imzot Paul Richard Gallagher.
Sipas njoftimit të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, gjatë bisedimeve është vënë në pah marrëdhënia e mirë ekzistuese ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe janë trajtuar tema me interes të përbashkët që lidhen me raportet ndërmjet bashkësisë kishtare dhe asaj civile.
Ndër temat kryesore të diskutuara kanë qenë edhe zhvillimet rajonale, me theks të veçantë në situatën politike dhe të sigurisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe rrugëtimi i Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Takimi vlerësohet si pjesë e angazhimeve diplomatike të Shqipërisë në nivel ndërkombëtar dhe si një sinjal i vazhdimit të dialogut të hapur me Selinë e Shenjtë për çështje me rëndësi rajonale dhe evropiane.

