Kapiteni i Kolumbisë, James Rodriguez, ka nënshkruar një kontratë afatshkurtër me Minnesota United, në prag të Kupës së Botës 2026, ka njoftuar klubi i MLS të premten.
Tridhjetë e katër vjeçari, ish-mesfushor i Real Madrid dhe Bayern Munich, që së fundmi ka luajtur për klubin meksikan Leon, ka një kontratë të garantuar deri në qershor, me mundësi vazhdimi nga klubi deri në dhjetor.
“Jam shumë i lumtur për këtë kapitull të ri në jetën time”, ka thënë Rodriguez. “Shpresoj të jem në formën më të mirë, që të sjell gëzim për këtë qytet dhe për të gjithë ata që më besojnë. Pres me padurim të takoj të gjithë tifozët pasionantë të Minnesota, sepse edhe unë jam lojtar pasionant që gjithmonë dëshiron të japë maksimumin në fushë dhe të fitojë”.
Minnesota United e ka përfunduar sezonin e kaluar me gjashtëmbëdhjetë fitore, tetë humbje dhe dhjetë barazime, duke përfunduar e katërta në Konferencën Perëndimore dhe u eliminua në çerekfinale të “play-off”.
“James është një lojtar i pakontestueshëm për cilësinë, vizionin dhe përvojën e tij në nivelet më të larta të futbollit”, ka thënë Khaled El-Ahmad, drejtor sportiv i Minnesota United. “Jemi të emocionuar që po i shtojmë kreativitetin dhe inteligjencën e tij futbollistike skuadrës. Ky transferim ka të bëjë me forcën kolektive të ekipit, jo vetëm me një individ. Brenda strukturës dhe kulturës sonë, James mund të sjellë një dimension të rëndësishëm në ekip”

