Barcelona nuk ka në plane transferimin e Virgil van Dijkut dhe Bruno Fernandesit, edhe nëse të dy futbollistët do të bëhen lojtarë të lirë në verën e vitit 2027.
Trajneri i katalunasve, Hansi Flick, ka një strategji të qartë për përforcimin e skuadrës dhe synon të afrojë futbollistë më të rinj, të cilët mund të jenë pjesë e projektit të klubit për vitet e ardhshme.
Sipas “El Nacional”, Barcelona po e shqyrton mundësinë e përforcimeve nga Premier League përmes transferimeve pa pagesë, por emrat e kapitenit të Liverpoolit, Van Dijk, dhe atij të Manchester Unitedit, Bruno Fernandes, nuk janë në listën e dëshirave të Flickut.
Të dy futbollistëve u skadojnë kontratat në qershor të vitit 2027. Megjithatë, Manchester United ka një klauzolë që i mundëson zgjatjen e marrëveshjes me Fernandesin edhe për një vit.
Ndërkohë, Van Dijk ka lënë të kuptohet se ende nuk ka marrë ndonjë ofertë për rinovimin e kontratës nga Liverpooli.
Mosha konsiderohet arsyeja kryesore pse Barcelona nuk po i shqyrton këto dy mundësi. Van Dijk do t’i mbushë 36 vjet në korrik të vitit 2027, ndërsa Fernandes aktualisht është 32-vjeçar.
Përveç tyre, Flick ka përjashtuar nga planet edhe sulmuesin e Tottenhamit, Richarlison, si dhe futbollistin japonez të Brightonit, Kaoru Mitoma

