Sot, më 10 shkurt 2026, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan me kusht në Kosovë, pas rishikimit të paraburgimit nga Gjykatësi i Vetëm i ngarkuar me çështjen e Prokurorisë së Specializuar kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në vendimet e datës 3 shkurt 2026, Gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit në dhjetor 2025 dhe se mbajtja e tyre në paraburgim nuk ishte më e arsyeshme ose proporcionale. Gjykatësi vlerësoi se e drejta për liri peshon më shumë se rreziqet e mundshme për pengim të procesit.
“Gjykatësi gjithashtu mori parasysh kohën që të akuzuarit kanë kaluar në paraburgim, përfundimin e fazës së paraqitjes së provave dhe mungesën e rrezikut për arratisje, duke pasur parasysh dorëzimin financiar të ofruar nga ata”, thuhet në njoftim.
Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu mbeten të akuzuar në gjykimin aktual dhe për lirimin e tyre janë caktuar një numër kushtesh. Versionet e redaktuara publike të vendimeve gjenden në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara

