Ballkani është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Kosovës, pasi mposhti Prishtinën pas ekzekutimit të penalltive, në një ndeshje dramatike të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të 1/8 së finales.
Koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan me rezultat 3-3, ndërsa fati i ndeshjes u vendos nga pika e bardhë, ku skuadra nga Suhareka u tregua më e saktë duke triumfuar me rezultat 11-10.
Prishtina e nisi ndeshjen në mënyrë ideale, duke shënuar që në minutën e parë përmes Phillip Bouye. Kryeqytetasit dyfishuan epërsinë në minutën e 50-të me golin e Mario Ilievskit, duke krijuar përshtypjen se po e kontrollonin takimin.
Megjithatë, Ballkani reagoi fuqishëm në pjesën e dytë. Një autogol i Prishtinës në minutën e 77-të riktheu mysafirët në lojë, ndërsa Almir Kryeziu realizoi nga penalltia në minutën e 89-të për ta barazuar rezultatin 2-2 dhe për ta çuar ndeshjen në vazhdime.
Në minutën e 98-të, Ballkani kaloi për herë të parë në epërsi (3-2), por reagimi i Prishtinës ishte i menjëhershëm. Vetëm katër minuta më vonë, vendasit barazuan në 3-3, duke e dërguar sfidën në penallti.
Nga pika e bardhë, Ballkani u tregua më i qetë dhe më i saktë, duke siguruar kështu një vend në çerekfinale të Kupës së Kosovës

