Zviceranët do t’u drejtohen kutive të votimit më 14 qershor për të vendosur nëse vendi duhet të vendosë një tavan maksimal prej 10 milionë banorësh. Vendimi për mbajtjen e referendumit u konfirmua nga qeveria zvicerane, në kuadër të sistemit të demokracisë së drejtpërdrejtë që karakterizon shtetin alpin.
Popullsia e Zvicrës ka njohur një rritje të shpejtë gjatë dekadës së fundit, rreth pesë herë më të lartë se ajo e vendeve fqinje të Bashkimit Evropian. Shteti i pasur ka tërhequr një numër të madh punëtorësh, si me kualifikim të lartë ashtu edhe me kualifikim të ulët. Sipas të dhënave zyrtare, në fillim të shkurtit popullsia arriti në mbi 9.1 milionë banorë.
Nisma për kufizimin e popullsisë është propozuar nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), forca më e madhe politike në vend që prej vitit 1999 dhe e njohur për qëndrimet e saj kundër emigracionit. Sipas SVP-së, “shpërthimi i popullsisë” ka ndikuar në rritjen e çmimeve të banesave, në mbingarkimin e shërbimeve publike dhe në uljen e standardeve të jetesës.
Iniciativa, e titulluar “Jo një Zvicre 10 milionëshe”, mblodhi më herët 100 mijë nënshkrimet e nevojshme për t’u hedhur në votim, siç parashikon ligji zviceran. Nëse miratohet, ajo do të detyrojë autoritetet të ndërhyjnë në rast se popullsia e përhershme tejkalon 9.5 milionë banorë, duke kufizuar hyrjen e të sapoardhurve, përfshirë azilkërkuesit dhe familjarët e shtetasve të huaj që jetojnë në vend.
Propozimi ka nxitur debat të fortë në vend. Lobi më i madh i biznesit, Economiesuisse, e ka cilësuar atë si një “iniciativë kaosi”, duke paralajmëruar se mungesa e fuqisë punëtore nga vendet evropiane mund t’i detyrojë kompanitë zvicerane të zhvendosin aktivitetin jashtë vendit.
Megjithatë, një sondazh i realizuar në dhjetor nga grupi mediatik Tamedia/20 Minuten tregoi se të paktën 48 për qind e qytetarëve shprehen në favor të vendosjes së një kufiri për popullsinë. Rezultati i referendumit pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në politikat e emigracionit dhe në drejtimin e ardhshëm demografik të Zvicrës.

