Obeziteti është i lidhur me një rrezik 70% më të lartë për infeksione serioze dhe rreth 1 në 10 persona humbin jetën për shkaqe që lidhen me sëmundjet infektive që kanë të bëjnë me obezitetin, sipas një studimi të ri.
Studimi zbuloi se njerëzit që vuajnë nga obeziteti kanë shanse më të mëdha për t’u shtruar në spital ose për të vdekur si pasojë e sëmundjeve infektive, duke përfshirë gripin, COVID-19, pneumoninë dhe gastroenteritin, krahasuar me njerëzit me peshë normale.
Kërkimet u bazuan në të dhëna nga më shumë se 67,000 të rritur në Finlandë dhe mbi 470,000 të dhëna nga UK Biobank, ku pjesëmarrësit u ndanë në grupe sipas indeksit të masës trupore (BMI). Personat me obezitet kishin një rrezik 70% më të lartë të hospitalizimit ose vdekjes nga ndonjë sëmundje infektive sesa të rriturit me BMI në rangun e peshës normale.
Studimi vuri re gjithashtu se sa më i lartë të jetë BMI-ja, aq më i madh është rreziku dhe individët me obezitet të rëndë (BMI ≥ 40 kg/m²) kishin gati trefishin e rrezikut krahasuar me ata me peshë normale.
Ekspertët sugjerojnë se obeziteti mund të dëmtojë sistemin imunitar, duke zvogëluar aftësinë e trupit për të mbrojtur veten kundër baktereve, viruseve, parazitëve apo kërpudhave, dhe kështu rritet rreziku i sëmundjeve serioze, edhe pse nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar mekanizmat e sakta.

