Politologu Adri Nurellari ka kritikuar ashpër Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke vlerësuar se ky institucion është shndërruar në një “korporatë institucionale”.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Nurellari ka shkruar se Dhomat e Specializuara po veprojnë me autonomi të plotë burokratike, pa supervizim real nga Kuvendi i Kosovës dhe pa llogaridhënie substanciale ndaj Parlamenti Evropian.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë shndërruar praktikisht në një korporatë institucionale: veprojnë me autonomi të plotë burokratike, pa supervizim real nga Kuvendi i Kosovës dhe pa llogaridhënie substanciale ndaj Parlamentit Evropian”, ka shkruar ai.
Në analizën e tij, Nurellari i referohet teorive institucionale të studiuesve si Douglass North, si dhe teorisë së “logjikës së përshtatshmërisë” të James G. March dhe Johan P. Olsen.
Sipas tij, çdo institucion, përfshirë edhe gjykatat, sillet si organizëm racional që kërkon të justifikojë vazhdimisht ekzistencën e vet, të sigurojë burime financiare dhe vazhdimësi operative, si dhe të ndërtojë legjitimitet publik.
“Kjo do të thotë se Gjykata Speciale kaloi nga misioni normativ i vendosjes së drejtësisë tek mbijetesa organizative. Thënë ndryshe, ajo po sillet si korporatë duke prodhuar procese për të justifikuar ekzistencën e vet”, ka theksuar Nurellari.

