Ish-presidenti, Hashim Thaçi, ka nisur fjalimin e tij para trupit gjykues.
Ai ka thënë se është vetëm një e vërtetë, dhe ajo është se ai është plotësisht i pafajshëm.
Fjalimin e tij e ka nisur me urimet për gjithë shqiptarët, ne përvjetorin e shpalljes së pavarësisë.
“Për gati tri vite në këtë sallë ju keni dëgjuar akuzat e prokurorisë. Ju keni dëgjuar edhe të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë. Unë jam plotësisht i pafajshëm”, tha Thaçi.
“Në kohën e masakrave në fillimit të vitit 1998, isha student në Cyrih. Unë nuk po bëja plane si ta marr kontrollin e Kosovës, i vetmi njeri i cili po bënte plane morbide ishte Sllobodan Millosheviqi”.
“Duke i parë masakrat në vendim tim nuk mund të qëndrojë indiferent, vendosa të vi në Kosovë. Ndërsa atë që do të bënte secili prej jush. Për ketë jam krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë. Është ofendim për kujtimin e heronjve dhe mijëra viktimave. Është ofendim dhe për përpjekjet e NATO-s me të cilët bashkëpunuam ngushtë”, shtoi Thaçi.
Sipas Thaçit, kundërshtari i vetëm i tij dhe i UÇK-së ishte regjimi i Millosheviqit.
“Unë nuk isha i sigurt nëse do ta shihja më familjen time, e lëre më të ushtroja kontroll. U ktheva në atdhe për të rrezikuar jetën time për liri. Kontrolli dhe pushteti ishin në duart e Slobodan Millosheviqit”, përfundoi ai.

