Ish-presidenti Hashim Thaçi po deklarohet përfundimisht para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ai tha se derisa ishte student në Zvicër nuk kishte në plan të vinte në Kosovë për “marrje kontrolli” të vendit, por tha se ishte presidenti i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviq që po hartonte plane.
“Në kohën e masakrave, në fillim të vitit 1998, unë isha student në universitetin e Cyrihut. Unë s’po bëja plane si ta merrja kontrollin e Kosovës, po bëja si t’i përgatitesha provimet në universitet. I vetmi njeri që po bënte plane, plane morbide, ishte Sllobodan Millosheviqi. Plane për një gjenocid tjetër, për një gjenocid të ri në Kosovë”.
Ai tha se ishte detyruar të lëshonte Kosovës sepse ishte ndjekur nga regjimi i Millosheviqit.
Pas masakrave që po ndodhnin, Thaçi tha se u nuk mund të qëndronte indiferent ndaj masakrave që po ndodhnin në Kosovë, prandaj u kthye në Kosovë.
“Bëra atë që do të bënte secili prej jush nëse vendi juauj, populli juaj do të përjetonte atë që përjetoi populli im”.
Ai foli edhe për përpjekjet e tij diplomatike në kryeqendrat e Europës.
“Unë udhëtova në shumë kryeqytete për t’i bindur për kauzën tonë të drejtë në Bruksel, Londër, Berlin, APris, Bernë, Oslo Vjenë e vende të tjera. Kudo që isha, isha në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarë të Administratës amerikane. Millosheviqi e kishte filluar luftën në Kosovë, ndërsa ne kosovarët vetëm po vetëmbroheshim. Por, luftën mund ta përfundonte vetëm NATO dhe ashtu ndodhi. Askush tjetër”

