Pas fjalëve përfundimtare në Gjykatën Speciale në Hagë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar me një mesazh publik, duke theksuar emocionin, dhimbjen dhe krenarinë që, sipas tij, shoqëruan këtë moment historik.
Hamza u shpreh se sot janë përjetuar “emocione të veçanta” dhe “dhimbje për peshën historike”, por mbi të gjitha, ai theksoi krenarinë për guximin dhe dinjitetin e të akuzuarve gjatë deklarimeve të tyre përfundimtare.
“Sot e dëgjuam zërin e popullit tonë që luftoi për mbijetesë dhe liri”, ka deklaruar Hamza, duke iu referuar fjalimeve të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit në sallën e gjyqit në Hagë.
Hamza tha se ata folën jo vetëm në emër personal, por për sakrificën, dhimbjen dhe të vërtetën e popullit të Kosovës.
Në reagimin e tij, kryetari i PDK-së ka theksuar se kjo e vërtetë historike nuk mund të relativizohet, zbehet apo tjetërsohet nga askush.
“Këtë të vërtetë askush nuk do të mund ta relativizojë. Askush nuk do të mund ta zbehë. Askush nuk do të mund ta tjetërsojë. Sepse askush nuk ka mandat ta njollosë sakrificën e popullit tonë që luftoi për liri dhe dinjitet”, ka shkruar kryetari Hamza.
Në fund të reagimit, ai ka theksuar pritjen e qytetarëve për një vendim të drejtë, duke theksuar se “Kosova pret drejtësi” dhe “Kosova pret t’i kthehen bijtë e vet”.

