Kryetari i Prishtina, Përparim Rama, ka theksuar se mësimi tërëditor mbetet një nga reformat më të rëndësishme në arsimin e Kryeqytetit, duke e cilësuar atë si hap kyç drejt ngritjes së cilësisë dhe krijimit të një sistemi arsimor të qëndrueshëm.
Së bashku me Drejtorinë e Arsimit, ai ka zhvilluar diskutime mbi zbatimin e mësimit tërëditor në dy fazat e para, sfidat e hasura gjatë procesit, si dhe hapat e ardhshëm për avancimin e kësaj reforme. Sipas tij, analiza e deritanishme shërben si bazë për përmirësime të mëtejshme dhe për forcimin e modelit në praktikë.
Në fokus të angazhimit institucional mbetet ndërtimi i shkollave të reja, riorganizimi i rrjetit shkollor dhe rritja e cilësisë në organizim. Po ashtu, theks i veçantë i është dhënë forcimit të bashkëpunimit me shkollat dhe partnerët jashtë tyre, me qëllim që nxënësit të përfitojnë një mjedis më të sigurt, më funksional dhe më stimulues për zhvillim.
Kryeqyteti, sipas Ramës, mbetet i përkushtuar që përmes reformave konkrete të ndërtojë një sistem arsimor modern, që u përgjigjet nevojave të kohës dhe garanton mundësi më të mira për gjeneratat e reja. Mësimi tërëditor shihet si investim afatgjatë në dijen, zhvillimin dhe të ardhmen e Prishtinës.

