MPJD: Në protestën para Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, u përdor gjuhë me tone ekstremiste

by Nexhat

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka theksuar se në protestën e disa serbëve para Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd është përdorur gjuhë me tone ekstremiste. 

Sipas MPJD-së protesta e mbajtur të martën ditën kur Kosova shënoi 18-vjetorin e Pavarësisë, është organizuar nga grupe të caktuara me prirje ekstremiste serbe dhe organizatorët kanë kërkuar mbylljen e Zyrës.

banner

“Në adresimet e tyre para protestuesve, janë përdorur deklarata me përmbajtje të ashpër dhe retorikë që nuk kontribuon në frymën e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet palëve. Madje me tone ekstremiste është manifestuar fjalia se ‘Kosovën do ta marrin edhe me dhunë po që nevoja’”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për KOHËN.

Tutje në përgjigje thuhet se retorika që nxit tensione nuk i shërben stabilitetit rajonal dhe as interesit të qytetarëve të të dyja vendeve.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, vlerëson se e drejta për tubim paqësor është standard demokratik, megjithatë çdo formë e gjuhës së urrejtjes, nxitjes së dhunës apo kërcënimit bie ndesh me vlerat evropiane dhe me frymën e marrëveshjeve ekzistuese”, thuhet në përgjigje. 

Sipas informacioneve të disponueshme, MPJD-ja thotë se këtë tubim kanë marrë pjesë rreth 80 persona, të cilët kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj funksionimit të Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, duke kërkuar mbylljen e saj.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, si dhe ndaj avancimit të marrëdhënieve fqinjësore mbi bazën e respektit të ndërsjellë, sovranitetit dhe integritetit territorial”, thuhet në përgjigje.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy