Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se shoqatat e dala nga lufta nuk do të rrijnë duarkryq për padrejtësitë që sipas tyre po u bëhen ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Gucati akuzoi Prokurorinë për përdorimin e “gënjeshtrave, shpifjeve dhe montimeve” gjatë gjithë procesit gjyqësor, me qëllim, sipas tij, për të paraqitur UÇK-në si organizatë kriminale. Ai theksoi se në këtë proces nuk po gjykohen vetëm individë, por e tërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe vetë shteti.
“Unë besoj fuqishëm se ata nuk do ta fitojnë rastin. Rasti nuk fitohet me rrena, nuk fitohet me fabrikime, nuk fitohet me njerëz poshtër të cilët e kanë trupin në Kosovë dhe kokën në Serbi,” tha Gucati, duke shtuar se të akuzuarit kanë luftuar në tokën e tyre për mbrojtjen e popullit dhe nuk kanë kryer krime.
Ai gjithashtu kritikoi përpjekjet e gjykatës për të rishkruar historinë e luftës së shqiptarëve, duke thënë se përpjekjet për të paraqitur luftëtarët e UÇK-së si kriminelë janë të padrejta dhe të dëmshme për imazhin e shtetit dhe popullit shqiptar.
Gucati njoftoi se shoqatat e dala nga lufta do të ulen së shpejti për të diskutuar hapat e mëtejshëm për të mbrojtur të drejtat dhe integritetin e ish-krerëve të UÇK-së, duke shtuar se protesta e organizuar më 17 shkurt në Prishtinë kishte treguar mbështetjen masive të qytetarëve.
Ai u shpreh se pret një vendim të drejtë nga gjykata, duke theksuar rëndësinë e respektimit të argumenteve të mbrojtjes dhe të fakteve historike mbi luftën për çlirimin e Kosovës.
Deklaratat e tij vijnë pas përfundimit të procesit gjyqësor në Hagë më 18 shkurt, ku ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm dhe mbrojtën veprimet e tyre dhe të UÇK-së gjatë luftës.

