Aktivisti i njohur kosovar, Uk Lushi, ka reaguar ashpër ndaj fushatës presidenciale të Vjosa Osmanit, duke e akuzuar për keqpërdorim të influencës amerikane në interes të ambicies personale.
Në një postim në rrjetet sociale, Lushi thekson se presidenti i Kosovës duhet të pasqyrojë konsensusin politik dhe interesat kombëtare, dhe jo të shërbejë si mjet për karrierë personale apo për të fituar favorin e një fuqie të huaj.
“Nuk është i ndershëm keqpërdorimi i Amerikës nga Vjosa Osmani Sadriu në fushatën e saj edhe për një mandat presidencial,” shkruan Lushi, duke sugjeruar se kandidati apo kandidatja duhet të veprojë në interes të Kosovës, jo sipas urdhrave të jashtëm.
Ai gjithashtu u shpreh se Kosova do të kishte bërë mirë të zgjidhte Hashim Thaçi për president, por në mungesë të guximit dhe diturisë së politikanëve të tjerë, duhet të merret parasysh propozimi i opozitës.
“Liderët duhet të jenë shërbëtorë të shtetit dhe jo të bëjnë shtetin instrument për karrierë duke bërë fushatë me sensitivitetin e proamerikanizmit të sinqertë të shqiptarëve kudo,” përfundon Lushi.

