Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, ka kërkuar mbështetjen e plotë të tifozëve për sfidën vendimtare ndaj Club Brugge.
Atletico Madrid po përgatitet për ndeshjen e kthimit të “play-off” në Champions, ku në stadiumin “Metropolitano” do të presë klubin belg, çka pas barazimit me rezultat 3:3, skuadra spanjolle do të kërkojë kalimin tutje.
“Ndeshja është e paparashikueshme, gjërat nuk shkojnë gjithmonë sipas planit. Do t’i qasemi takimit në mënyrën që besojmë se do të jetë efektive. Kemi nevojë për tifozët tanë, për energjinë që na ushqen”, është shprehur Simeone.
Trajneri argjentinas e ka vlerësuar kundërshtarin belg, duke theksuar se Club Brugge është një skuadër e organizuar dhe e guximshme.
“Club Brugge luan mirë, është ekip konkurrues dhe i drejtuar nga një trajner që e bën punën si duhet. Gjithmonë kanë bërë paraqitje të mira ndaj nesh, si në shtëpi ashtu edhe jashtë”, ka thënë ai.
Simeone ka shtuar se skuadra e tij duhet të jetë e përqendruar dhe e gatshme të përshtatet gjatë lojës. “Ne kemi nevojë për tifozët pranë ekipit. Duhet ta kthejmë mbështetjen me punë, futboll dhe lojë të mirë. Asnjëherë nuk e di çfarë mund të ndodhë në një ndeshje të tillë, prandaj duhet të jemi të përgatitur për çdo situatë”, ka thënë ai

