Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, po qëndron për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ahmeti në Uashington ka njoftuar për takimet që ka pasur me senatorin, Gary Peters, dhe kongresistin, Rtichie Torres. Zëvendësi i Konjufcës gjithashtu është takuar edhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Daniel J. Lawton, shkruan Express.
Në dy njoftimet që ka bërë Ahmeti për këto takime të zhvilluar në Uashington, ai ka falendëruar politikanët amerikanë për Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) në të cilin është përfshirë edhe Kosova.
“Pjesë e diskutimeve ishte edhe mbështetja e ofruar përmes Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), për të cilin Zëvendësministri Ahmeti, shprehu mirënjohje të veçantë për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së në avancimin e sigurisë dhe mbrojtjes”, ka shkruar Ahmeti pas takimit me Peter dhe Torres.
Ahmeti poashtu pas takimit me Laëton, ka falënderuar SHBA-në që kanë përfshirë Kosovën në NDAA, e ku konfirmohet përkrahja për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Megjithatë, përveç përkrahjes për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, ligji në fjalë i kushton një pjesë të veçantë edhe marrëveshjes së vitit 2023 të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, ku kërkohet zbatimi i Aneksit të Ohrit në të cilin është i përfshirë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Kosova dhe Serbia inkurajohen për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, të arritur më 27 shkurt 2023. Dokumenti thekson se marrëveshja për “Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve”, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përbën një hap pozitiv në normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.
“Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, e rënë dakord nga Kosova dhe Serbia më 27 shkurt 2023, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, përbën një hap pozitiv përpara në avancimin e normalizimit ndërmjet dy vendeve; Serbia dhe Kosova duhet të synojnë të bëjnë përparim të menjëhershëm në Aneksin e Zbatimit të marrëveshjes së përmendur,” thuhet në dokument

