PDK thekson unitetin dhe stabilitetin institucional në prag të procesit për presidentin

by engel

Pas mbledhjes së radhës së Kryesisë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit shtetëror dhe institucional, ndërsa në fokus të diskutimeve ka qenë edhe procesi i zgjedhjes së presidentit.

Anëtari i PDK-së, Blerand Stavileci, bëri të ditur se gjatë takimit janë trajtuar zhvillimet aktuale politike në vend, përfshirë edhe çështjen e presidentit, por pa u diskutuar emra konkretë. Sipas tij, fillimisht janë shqyrtuar parimet mbi të cilat do të mbështetet qëndrimi i partisë në këtë proces.

banner

Stavileci theksoi se Kryesia, si organi më i lartë i partisë, si dhe kryetari i saj, Bedri Hamza, kanë mbajtur një qëndrim të njëtrajtshëm dhe konsistent në të gjitha temat që lidhen me interesin shtetëror. Ai nënvizoi se për PDK-në prioritet mbetet garantimi i stabilitetit institucional dhe ruajtja e baraspeshës së pushteteve.

“Ne kemi diskutuar për parimet dhe qëndrimin që do ta mbajë kryetari i Partisë Demokratike. Të gjitha strukturat e partisë janë në një vijë me këtë qëndrim dhe do të vazhdojmë me të njëjtën frymë edhe në ditët në vijim”, deklaroi Stavileci, duke shtuar se vendimet e mëtejshme do të varen nga dinamika e takimeve të ardhshme politike.

Sa i përket një takimi të mundshëm me kryeministrin Albin Kurti, Stavileci u shpreh se aktualisht ka vetëm pritje, pa dhënë detaje shtesë.

PDK ka paralajmëruar se do të vazhdojë konsultimet e brendshme dhe do të dalë me qëndrime konkrete në fazat e ardhshme të procesit për zgjedhjen e presidentit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy