Një tragjedi ka ndodhur më 28 shkurt 2026 në Prizren, ku një mashkull kosovar ka humbur jetën si pasojë e goditjes nga rryma elektrike gjatë punës në një shtyllë elektrike. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 22:00.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, viktima është rrëzuar në tokë pas goditjes, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë mbërritur njësitë policore dhe ekipi i urgjencës, të cilët kanë konstatuar vdekjen e tij.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për kryerjen e obduksionit.
Policia ka inicuar rastin si “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive janë në vazhdim.

