Kosova po përballet me sfida të reja në menaxhimin ekonomik, pasi të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë rënie të të hyrave dhe rritje të shpenzimeve të Qeverisë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2025.
Sipas ASK-së, të hyrat për këtë periudhë arritën në 920.4 milionë euro, nga 941.6 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke shënuar një rënie prej 21.2 milionë eurosh. Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte (70,7%), pasuar nga tatimet mbi të ardhurat (14%) dhe të ardhurat nga asetet dhe detyrimet financiare (6,2%).
Ndërkohë, shpenzimet e qeverisë kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke arritur 1170.8 milionë euro në TM4 2025, krahasuar me 1134 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, një rritje prej 36.8 milionë eurosh. Strukturën kryesore të shpenzimeve e dominojnë kontributet sociale dhe përfitimet (27,5%), kompensimi i punëtorëve (20,2%), formimi i kapitalit bruto (18,3%) dhe konsumi i ndërmjetëm (13,5%).
Ekspertët paralajmërojnë se kjo kombinim i të hyrave të ulëta dhe shpenzimeve në rritje rrezikon thellimin e hendekut financiar dhe kufizon kapacitetin e qeverisë për investime zhvillimore. Analistët ekonomikë vënë në dukje se pa një menaxhim më të kujdesshëm buxhetor dhe politika të qarta fiskale, Kosova mund të përballet me presion të shtuar mbi borxhin publik dhe shërbimet sociale.
Situata nxjerr në pah nevojën urgjente për reformim të buxhetit dhe kontroll më të rreptë të shpenzimeve, për të garantuar që fondet publike të përdoren në mënyrë efikase dhe të mos rritet më tej deficiti financiar të vendit.

