Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi një masë të përkohshme lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Me vendimin e saj, Gjykata ka urdhëruar që deri më 31 mars as Presidenca dhe as Kuvendi të mos ndërmarrin veprime të mëtejshme lidhur me dekretin, derisa të përfundojë shqyrtimi i kërkesës për kushtetutshmërinë e tij.
Në një reagim publik, Nagavci tha se partia e saj e mirëpret vendosjen e masës së përkohshme dhe shprehu bindjen se kërkesa e paraqitur në Gjykatë është e bazuar në argumente kushtetuese.
Sipas saj, kërkesa e dorëzuar nga deputetët e Vetëvendosjes synon që Gjykata Kushtetuese të anulojë dekretin nr. 24/2026 të datës 6 mars 2026, me të cilin presidentja Osmani shpërndau Legjislaturën e dhjetë të Kuvendit.
Në të njëjtën kohë, në kërkesë kërkohet që Gjykata të urdhërojë deputetët e Kuvendit të vazhdojnë përpjekjet për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së re, brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh nga nxjerrja e aktgjykimit.
Nagavci theksoi se vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese është i rëndësishëm për respektimin e rendit kushtetues dhe për funksionimin demokratik të institucioneve në Kosovë. Sipas saj, një interpretim i qartë i Gjykatës do të ndihmojë edhe në garantimin e stabilitetit institucional në vend.

