Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të hënën ka dhënë një intervistë në një televizion në Shqipëri, ku ka folur hapur për marrëdhëniet me kryeministrin Albin Kurti dhe zhvillimet politike që kanë prekur skenën politike në vend.
Osmani komentoi tensionet e fundit dhe sfidat që kanë lindur gjatë bashkëpunimit të saj me qeverinë dhe partinë LVV, duke dhënë mesazhe të qarta mbi qëndrimin e saj si presidente dhe pritshmëritë për mandatin e ardhshëm.
Deklaratat e Osmanit vijnë në një periudhë kur raportet mes dy liderëve janë tensionuar, pasi kreu i LVV-së, Albin Kurti nuk e propozoi atë për presidente.
Analistët politikë vlerësojnë ndikimin e këtyre marrëdhënieve në stabilitetin dhe zhvillimin politik të Kosovës, ku janë shprehur se qëndrimet e presidentes Osmani lidhen me çështje personale.
Spahiu: Kriza mes Osmanit dhe Kurtit u bë publike pasi s’u realizua interesi i presidentes
Profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu në një prononcim për “Front Online” foli rreth raporteve mes Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se krisja mes tyre ka ekzistuar edhe më herët, por nuk ishte bërë publike.
Sipas Spahiut, marrëdhëniet mes dy liderëve lidhet me mosrealizimin e interesave personale të presidentes Osmani.
“Raportet e tyre janë shpërfaqur në publik, ato kanë qenë të tilla më përpara por nuk i janë shfaqur publikuar por tani ka ardhur momenti kur nuk është realizuar interesi i Vjosa Osmanit. Kjo po ndodh për çështje personale të saj”, u shpreh Spahiu.
Analisti politik: Tensionet Osmani–Kurti lidhen me çështje personale
Analisti politik Blerim Canaj deklaroi për “Front Online” se raportet mes Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti lidhen me çështje personale dhe me zhvillimet politike rreth mandatit presidencial.
Sipas tij, fakti që Kurti nuk e kandidoi sërish Osmanin për presidente ka ndikuar në përkeqësimin e raporteve mes tyre.
Canaj shprehet se favoret politike Osmani ja realizoi Kurtit me shpresë që ta fitoj sërish pozitën e presidentes.
“Janë çështje personale, si është e mundur që është dashtë të pritët 5 vite dhe brenda një ditë të provohet që të kalojnë amendamentet kushtetuese. Osmani nga ajo që tha ato favoret që si presidente ja ka bërë Kurtit, ja ka bërë me shpresën që kjo prap do të ketë shansin që do të jetë presidente, pasi nuk e kandidoi Kurti, Osmani e shprehu mllefin e saj”, deklaroi Canaj.
Muhaxheri: Kurti dhe Osmani premtuan model të ri politik, tani po i kthehen praktikave të vjetra
Në një deklaratë për “Front Online”, analisti politik Artan Muhaxheri ka folur lidhur me raportet mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e cilësuar situatën si zhgënjyese dhe me pasoja për modelin e politikës në vend.
Sipas Muhaxherit, situata e tanishme është kontradiktore me premtimet që të dy liderët dhanë para pesë vjetësh, kur u angazhuan për të krijuar një model të ri të politik bërjes në Kosovë.
Analisti nënvizon se zhvillimet e fundit tregojnë për tensione të thella mes dy krerëve të institucioneve.
“Zhgënjyese kjo që po ndodh mes Kurtit dhe Osmanit sepse para 5 viteve kanë dhënë premtime shumë të mëdha që do ta krijojnë një model të ri të politik bërjes në Kosovë e tash po i rikthehen praktikave më të dëmshme politike që kanë qenë evidente në Kosovë”, tha ai.
Muhaxheri sheh të ardhme tjetër për presidenten në politik.
“Është e pritshme që edhe Osmani ta filloj një ripozicionim në aspektin politik sepse më nuk e ka opsion bashkëpunimin me Kurtin dhe LVV. Nuk është e pritshme që Osmani ta përfundojë karrierën me përfundimin e mandatit si presidente”, u shpreh ai./FrontOnline

