Aktorja, këngëtarja dhe regjisorja legjendare amerikane Barbra Streisand do të marrë çmimin prestigjioz, “Palma e Artë e Nderit”, në edicionin e 79-të të Festivalit të Filmit në Kanë, njoftuan sot organizatorët, sipas “Reuters”.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet më 23 maj, ndërsa Festivali i Filmit në Kanë do të mbahet nga 12 deri më 23 maj.
Organizatorët e festivalit vlerësuan Streisand për ndikimin e jashtëzakonshëm në industrinë e argëtimit dhe në kulturën pop gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.
Ata theksuan se ajo ka arritur majat e industrisë së filmit dhe muzikës, duke u bërë një nga figurat më të rëndësishme të kulturës popullore globale.
Në një deklaratë, artistja 83-vjeçare shprehu mirënjohjen për këtë nderim, duke thënë se ishte krenare që i bashkohej listës së fituesve të mëparshëm të këtij çmimi, puna e të cilëve e ka frymëzuar ndër vite.
Ajo theksoi gjithashtu se kinemaja kishte fuqinë të hapte zemrat dhe mendjet e njerëzve dhe të tregonte histori që pasqyronin humanitetin e përbashkët.
Gjatë një karriere që shtrihet për më shumë se gjashtë dekada, Streisand ka qenë aktore, producente, regjisore dhe këngëtare e suksesshme.
Ajo ka interpretuar në filma të njohur si “Funny Girl”, “The Way We Were” dhe “Yentl”, ndërsa ka fituar dy çmime “Oscar” dhe dhjetë “Grammy”.
Çmimi “Palma e Artë e Nderit” jepet për personalitete që kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në kinemanë botërore.
Në vitet e fundit ai është dhënë për figura të mëdha të filmit si, Clint Eastwood, Jane Fonda, Jodie Foster, Tom Cruise dhe Harrison Ford.
Në edicionin e këtij viti të festivalit, një tjetër çmim nderi do t’i jepet edhe regjisorit nga Zelanda e Re, Peter Jackson, ndërsa juria e festivalit do të drejtohet nga regjisori koreano-jugor, Park Chan-wook.
Në këtë mënyrë, festivali i Kanës do të nderojë një nga figurat më ikonike të muzikës dhe kinemasë botërore, duke vlerësuar ndikimin dhe kontributin e saj të jashtëzakonshëm në artin e filmit.

