SUHAREKË/ Aksion policor- Sekuestrohet drogë, armë dhe mjete shpërthyese, një person ndalohet

by Nexhat

Policia e ka realizuar një aksion në Suharekë, ku gjatë një kontrolli në një banesë janë gjetur dhe sekuestruar substanca narkotike, armë dhe mjete të tjera të dyshuara të rrezikshme.

Sipas njoftimit të Policisë, më 11 mars 2026, pas pranimit të një urdhri me shkrim nga Gjykata Themelore në Prizren, hetuesit e Policia e Kosovës nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë kanë kryer kontroll në shtëpinë ku banonte i dyshuari me inicialet L.Sh. në Suharekë.

banner

Gjatë kontrollit policor janë gjetur dhe sekuestruar rreth 178.72 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe 0.91 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.

Po ashtu, policia ka sekuestruar edhe një armë zjarri automatike (dyshohet me gas) të markës BLOW/SWAT pa numër serik me një karikator, 16 fishekë të kalibrit 9 mm, një rrotull foli alumini dhe një telefon mobil.

Sipas policisë, gjatë kontrollit janë gjetur edhe katër shishe të përgatitura në mënyrë artizanale, të dyshuara se përmbanin lëndë djegëse me mekanizëm ndezës. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gjithashtu para të gatshme në vlerë prej 350 euro dhe 60 franga zvicerane, si dhe një çelës i derës së banesës.

Për shkak të mjeteve të rrezikshme të gjetura, në vendngjarje është thirrur njësia EOD e policisë, e cila i ka tërhequr ato për trajtim dhe asgjësim të sigurt.

Me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit për Krime të Rënda, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe ai është dërguar në qendrën e ndalimit.

Rasti është iniciuar për veprat penale sipas neneve 267 dhe 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia në Prizren.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy