Për herë të parë në sistemin publik shëndetësor në Qendren Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është konfirmuar një shtatzëni pas realizimit të procedurës së Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF).
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes një njoftimi publik, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm për sistemin shëndetësor publik në Kosovë.
Sipas tij, ky zhvillim përfaqëson një hap të madh përpara dhe një shpresë të re për shumë gra dhe çifte që synojnë të bëhen prindër.
“Për herë të parë në sistemin publik shëndetësor në QKUK është konfirmuar një shtatzëni pas procedurave të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF). Ky është një lajm që jep shpresë për shumë gra që presin të bëhen nëna, e që tashmë këtë procedurë mund ta realizojnë në QKUK”, ka bërë të ditur Vitia.
Ai theksoi se në këtë institucion dy procedurat e para të IVF-së ofrohen pa pagesë për pacientët, duke synuar rritjen e qasjes në këtë shërbim për çiftet që përballen me probleme të fertilitetit.
Ministri ka shprehur gjithashtu mirënjohje për stafin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, duke vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e ekipit mjekësor që realizoi këtë procedurë.

