Partitë politike ende pa propozime për anëtarët e rinj të KQZ-së

by informim peje

Mandati i anëtarëve të partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve po përfundon. Presidentja u ka kërkuar subjekteve politike propozimet për anëtarët e rinj, të cilat duhet të dorëzohen deri më 15 mars. Disa parti ende nuk i kanë bërë publikë emrat, ndërsa përbërja e re e KQZ-së pritet të përcaktohet në ditët në vijim.

Anëtarët e partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë në ditët e fundit të mandatit brenda këtij institucioni.

banner

Emërimi i tyre duhet të ndodhë jo më vonë se 60 ditë nga dita e certifikimit të rezultateve zgjedhore.

Presidentja Vjosa Osmani më 9 mars u ka kërkuar subjekteve politike propozimet për anëtarët e rinj.

Partitë kanë afat deri më 15 mars që t’i dërgojnë propozimet.

Në Vetëvendosje thanë se ende nuk i kanë dërguar emrat e dy anëtarëve të rinj që do t’ia propozojnë Osmanit për emërim.

Sami Kurteshi nuk do të propozohet më nga partia e tij, duke qenë se ka konsumuar kufirin e mandateve të parapara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Ky ligj thotë se i njëjti person mund të propozohet dhe emërohet nga një subjekt politik deri në tri mandate radhazi. Pas mandatit të tretë, ai nuk mund të emërohet përsëri.

Në Partinë Demokratike nuk kthyen përgjigje gjatë ditës, e as në Lidhjen Demokratike. Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë ka propozuar edhe për një mandat, anëtarin aktual të saj në KQZ, Muharrem Nitajn.

Presidentja ka afat prej 7 ditësh, pas dorëzimit të emrave, për emërimin ose mosemërimin e anëtarëve të propozuar nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend.

Blerim Burjani, analist thotë se “bëhet verifikimi i kandidaturave nga ana e zyrës së presidentes dhe aty vlerësohet kush i plotëson kriteret kush jo dhe a ka kaluar më shumë mandate se sa që e parasheh ligji”.

6 anëtarë pritet të emërohen nga radhët e subjekteve politike shqiptare: 2 nga Vetëvendosje, 2 nga PDK dhe me nga një anëtar LDK dhe AAK, ndërsa katër anëtarë të tjerë do të emërohen nga radhët e komuniteteve pakicë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy