Disa kongresmenë amerikanë i kanë shkruar një letër Sekretarit amerikan, Marco Rubio, duke shprehur shqetësimin e tyre për zvogëlim të mundshëm të trupave amerikane në Kosovë.
Megjithatë, një zyrtar i NATO-s për Express ka thënë se aktualisht nuk kanë nën shqyrtim ndonjë ndryshim të rëndësishëm të trupave në Kosovë.
Ky zyrtar ka thënë se KFOR-i vazhdon të përmbush mandatin në kuadër të Rezolutës 1244 për të ndihmuar ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë.
“Stabiliteti në rajon varet përfundimisht nga të gjitha palët që zgjedhin diplomacinë mbi dhunën. Rruga drejt paqes së qëndrueshme është politike. NATO vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura, me respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve”, ka thënë ky zyrtar për Express.
Sa i përket SHBA-së, ky zyrtar ka thënë se luan një rol themelor për përkrahjen dhe sigurinë e qëndrueshme në Kosovë, gjithashtu për stabilitetin rajonal.
“SHBA-ja vazhdon të luaj një rol fundamental në mbështetje për një siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitet rajonal, përfshirë edhe në kuadër të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR. Shtetet e Bashkuara kanë pothuajse 600 trupa të dislokuara në KFOR. Ato udhëheqin Komandën Rajonale Lindje të misionit në Kampin Bondsteel. Komanda Rajonale Lindje në kontribuon në aktivitetet e përditshme të KFOR-it në shumë mënyra të ndryshme, duke përfshirë patrullimet, ushtrimet, angazhimet me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve lokale dhe mbështetjen e projekteve të rindërtimit dhe zhvillimit ekonomik”, tha një zyrtar i NATO-s

