Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e subjektit politik Alternativa ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me ndarjen e fondeve për subjektet politike.
Alternativa kishte kontestuar vendimin e PZAP-së dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për caktimin e mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, duke kundërshtuar përjashtimin e tij nga kjo ndarje.
Gjykata Supreme konstaton se PZAP veproi drejt, pasi sipas Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, ky panel ka kompetencë të shqyrtojë vetëm ankesat ndaj vendimeve të KQZ-së që janë të përcaktuara shprehimisht me ligj. Vendimet që lidhen me ndarjen e fondeve për mbështetjen e subjekteve politike nuk mund të ankimohen në PZAP.
Po ashtu, gjykata thekson se Ligji për Financimin e Subjekteve Politike nuk parashikon të drejtën e ankimit për vendimet e KQZ-së për ndarjen e fondeve, përveç rasteve që lidhen me dispozitat ndëshkimore.
Megjithatë, Alternativa sipas njoftimit të gjykatës, ka mundësi të kërkojë mbrojtje juridike përmes procedurave të tjera gjyqësore.
“Edhe pse ankesa në PZAP nuk është e lejueshme për këtë kategori vendimesh, subjekti politik ka mundësi të kërkojë mbrojtje juridike përmes procedurave të tjera gjyqësore të parashikuara me ligj, përfshirë kontrollin gjyqësor të akteve përfundimtare të organeve publike”, thuhet në vendimin e Supremes

