Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiç, deklaroi sot se marrëveshja e arritur për zbatimin e ligjeve për të huajt dhe automjetet do të zgjidhë sipas tij problemin e serbëve në Kosovë që nuk posedojnë dokumente identiteti të lëshuara nga Kosova, si dhe të profesorëve, mjekëve dhe studentëve që vijnë nga Serbia qendrore për të punuar dhe studiuar.
“Ne bëmë një analizë të detajuar dhe të dhënat tregojnë se midis 7,000 dhe 10,000 serbë në Kosovë, për arsye të ndryshme, nuk kanë dokumente të lëshuara nga Prishtina. Në këtë numër duhet të shtojmë edhe një numër të caktuar profesorësh, mjekësh dhe studentësh që vijnë nga Serbia qendrore dhe, sikur të mos ishte arritur kjo marrëveshje, të gjithë këta njerëz do të kishin hasur probleme që nesër në lidhje me qëndrimin, punën dhe ardhjen në territorin e Kosovës,” tha Jevtiç për Tanjug.
Ai vlerësoi se situata nuk është ideale, por duhet të gjenden zgjidhje praktike për të siguruar një jetë normale dhe të pandërprerë dhe për të parandaluar atë që e përshkroi si qëllim të Albin Kurti, “drejtësinë administrative të përjashtimit të popullsisë serbe”.
Jevtiç deklaroi se nuk është sekret që Kurti në këtë rast aplikoi atë që e përshkroi si modelin kroat për krijimin e problemeve me dokumentet për të zvogëluar sipas tij numrin e serbëve.
“Në biseda që kam pasur me miq që janë serbë nga Kroacia, kam dëgjuar disa herë se Albin Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij shkuan në Zagreb dhe morën udhëzime atje se si dhe në çfarë mënyre të bëjnë atë që Kroacia kishte bërë me serbët në Kroaci. Me fjalë të tjera, për të dëbuar serbët nga Kosova në të njëjtën mënyrë, padhunë fizike, pa asnjë të shtënë,” tha ai. /Gazeta Express

