Një ngjarje e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në Gjakovë.
Si pasojë e të shtënave me armë zjarri një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është plagosur.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:30 minuta në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, raporton Indeksonline.
Sipas informacioneve të para viktima në këtë rast është: Rastim Binakaj 38 vjeçar .
Ndërsa i plagosur në këtë rast ka mbetur edhe një person tjetër, 29 vjeçar, vëllau i viktimës.
I njëjti u plagos në kraharor dhe është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Ndërsa i dyshuar në këtë rast për vrasjen dhe plagosjen e ndodhur në Gjakovë është Nexhdet Zymberaj, pronari i kafiterisë “My Place” .
Pas ngjarjes së rëndë, Zymberaj raportohet se është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur dhe i njëjti po kërkohet nga Policia e Kosovës.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja të armës së zjarrit, si dhe një mjet i mprehtë (thikë).
Lidhur me këtë janë deklaruar edhe nga ana e Policisë së Kosovës
“Sot rreth orës 05:30, jemi njoftuar se në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë dy persona meshkuj, të moshës madhore, janë qëlluar me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra, njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes (ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij). Personi tjetër ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Njësitë përkatëse policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes. Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes.” ka thënë Shermet Elezi- zëdhënës i Policisë Rajonale në Gjakovë.

