Punëtorët e “Prishtina Parking” protestojnë për paga dhe të drejta, paralajmërojnë grevë nëse nuk ka zgjidhje

by engel

Punëtorët e ndërmarrjes “Prishtina Parking” kanë zhvilluar një protestë duke kërkuar realizimin e disa kërkesave që, sipas tyre, kanë mbetur të paplotësuara prej vitesh. Ata kërkojnë pagesën e shujtës, ekzekutimin e një pjese të pagës që ende nuk është paguar, si dhe përmbushjen e obligimeve ndaj sindikatës.

Protesta e mbajtur së fundmi është e dyta me radhë, ndërsa punëtorët paralajmërojnë se nëse kërkesat e tyre vazhdojnë të shpërfillen nga menaxhmenti, do të ndërmarrin hapa të mëtejmë, përfshirë edhe hyrjen në grevë.

banner

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve, Flamur Hajdari, tha se kërkesat e tyre janë paraqitur tash e më shumë se tre vjet, por deri më tani nuk kanë marrë përgjigje konkrete nga drejtuesit e ndërmarrjes.

Sipas tij, punëtorët po presin që menaxhmenti të ndërmarrë veprime konkrete për zgjidhjen e çështjeve të ngritura, duke theksuar se deri tani nuk kanë pasur asnjë ftesë për dialog apo takim.

Ai shtoi se punëtorët përballen me vështirësi të mëdha ekonomike, pasi paga mesatare prej rreth 500 eurosh nuk është e mjaftueshme për të përballuar jetesën, sidomos kur disa obligime të tyre nuk janë përmbushur.

Ndërkohë, anëtari i Kryesisë së Sindikatës, Safet Zuka, ka ngritur shqetësimin edhe për çështjen e sigurimit shëndetësor. Sipas tij, për disa muaj me radhë nga pagat e punëtorëve janë ndalur mjetet për sigurim shëndetësor, por ato nuk janë paguar në institucionet përkatëse.

Ai theksoi se një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe me kontributet për sindikatën, të cilat sipas tij janë ndalur nga paga e punëtorëve, por nuk janë transferuar në llogarinë e organizatës sindikale.

Sipas përfaqësuesve të punëtorëve, menaxhmenti i ndërmarrjes është arsyetuar se “Prishtina Parking” po përballet me krizë financiare dhe me borxhe, duke theksuar se ndërmarrja nuk ka mjete të mjaftueshme për të rritur pagat apo për të përmbushur disa nga obligimet aktuale.

Megjithatë, punëtorët vlerësojnë se kjo situatë është pasojë e keqmenaxhimit dhe se barrën e saj po e mbajnë pikërisht ata. Ata theksojnë se aktualisht marrin vetëm pagën bazë dhe mezi arrijnë të përballojnë shpenzimet e përditshme.

Punëtorët gjithashtu deklaruan se pas protestës së parë të mbajtur më 6 mars nuk kanë pasur asnjë kontakt nga menaxhmenti për të diskutuar kërkesat e tyre. Për këtë arsye, ata paralajmërojnë se nëse nuk fillon një proces dialogu dhe nuk ofrohen zgjidhje konkrete, do të vazhdojnë me protesta dhe me hapa të tjerë ligjorë, përfshirë edhe organizimin e grevës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy