Zoran Kostiq dënohet me 15 vjet burgim, e Dragan Miloviq me 7 vjet për krime lufte në Kosovë

by Nexhat

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq, të akuzuar për krime lufte në Kosovë. Kostiq u dënua me 15 vjet burgim, kurse Miloviq me 7.

Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala me anëtarët Rrahman Beqiri dhe Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

banner

Zoran Kostiq u dënua me 15 vjet burgim, kurse Miloviq me 7 vjet burgim, në të cilin dënim iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Të akuzuarit obligohen të paguajnë edhe shpenizmet gjyqësore- nga 300 euro për paushallin gjyqësor dhe nga 100 për Fondin për Kompenismin e Viktimave të Krimimt.

Të akuzuarve iu vazhdohet masa e paraburgimit.

Palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.

Sipas aktakuzës së ngritur më 16 maj 2024, i akuzuari Zoran Kostiq gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore serbe, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije dhe qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes Ujkani gjatë një aksioni të mirë-organizuar, pasi që forcat serbe ishin vendosur në shtëpinë e Sh.Z, të cilën policia dhe ushtria serbe e ka shfrytëzuar si shtab, ditën kritike në ofensivën e ushtrisë serbe kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, në mesin e pjesëtarëve tjerë të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, ishte edhe i akuzuari Kostiq, i cili ka marrë pjesë në plaçkitjen e shtëpive të banorëve shqiptarë, pastaj ka djegur shtëpitë dhe ka vrarë civilë të paarmatosur në fshatin Reznik, si: I.U, M.U me bashkëshorte, B.U, F.U, S.U, F.U., (të familjes Ujkani) po ashtu në ditën kritike vriten edhe T.U me bashkëshorten H.U, dhe me qëllim për t’-i zhdukur provat dhe për ta zbatuar planin në tërësi, ua vënë zjarrin shtëpive dhe djegin kufomat e familjes Ujkani (këtë ngjarje e ka parë dëshmitari B.U).

Tutje, në aktakuzë thuhet se më 22 maj 1999, i akuzuari Kostiq në bashkëkryerje me persona tjerë të paidentifikuar kishte urdhëruar dëbimin e popullatës shqiptare nga shtëpitë e tyre, duke i detyruar të vazhdojnë në drejtim të varrezave të qytetit e duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, ku në atë turmë ishin pjesëtarët e familjes Dallku- M.D, A.D, F.D, E.D, SH.D, V.D, V.D,V.D, L.LL dhe tre persona me mbiemrin Haliti.

Gjatë rrugës për te varrezat e qytetit, polici serb M.C., i thotë të akuzuarit Kostiq “ti e din fare të bësh me kta” dhe aty fillojnë t’i rrahin civilët me mjete të forta si gyp metalik, shkopinj të fortë të drurit, kondak të automatikut e të tjera, pastaj i kanë urdhëruar të hyjnë në dyqanin e Rashanëve, ku aty ishin edhe tre persona tjerë civilë H.H, E.H dhe N.H, pastaj të njëjtit i kanë urdhëruar prapë që të dalin nga lokali dhe të nisen para shtëpisë së S.P., ku ishin edhe disa paramilitarë me uniforma ushtarake me ngjyrë të kombinuar, të cilët kishin armë të shkurtra dhe të gjata.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy