Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka ngritur shqetësimin për rritjen e ndjeshme të rasteve të dhunimit, duke theksuar se rreth 90 për qind e viktimave janë të mitur.
Në një prononcim për media, Nikçi bëri të ditur se të gjithë personat e dyshuar për këto vepra penale ndodhen aktualisht në paraburgim, ndërsa viktimat po trajtohen në strehimore, shtëpi të sigurta ose në familjet e tyre, me mbështetje psikologjike dhe institucionale.
Ai theksoi se prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në secilin rast, duke siguruar arrestimin e të dyshuarve dhe mbrojtjen e viktimave.
Nikçi veçoi edhe një rast në komunën e Istogut, ku një telefonatë e një qytetari ka mundësuar parandalimin e një tentim-dhunimi ndaj një të miture dhe arrestimin e të dyshuarit në flagrancë brenda një moteli. Ai apeloi për bashkëpunim më të madh të qytetarëve, duke theksuar se raportimi në kohë mund të shpëtojë jetë dhe të parandalojë krime të rënda.
Sipas tij, përveç këtyre rasteve, dhuna në familje mbetet ndër problemet më të përhapura, me mbi 350 raste të trajtuara brenda një viti në Prokurorinë Themelore në Pejë, shumica e të cilave përfundojnë me vendime dënimi në gjykatë.
Nikçi theksoi se krahasuar me vitet e kaluara, është vërejtur një rritje e ndjeshme e rasteve të dhunimit ndaj të miturve, duke u bërë thirrje familjarëve dhe qytetarëve për vigjilencë dhe kujdes të shtuar ndaj fëmijëve, si dhe për raportim të çdo rasti të dyshimtë tek autoritetet kompetente.

