Bëhet thirrje për kursim të ujit në Ditën Botërore të Ujit

by Nexhat

Me rastin e 22 marsit – Ditës Botërore të Ujit, KRU `Prishtina` ka bërë thirrje për ndërgjegjësim më të madh në përdorimin e ujit, duke e cilësuar atë si një burim jetik për jetën, shëndetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.

Në një komunikatë për media, kjo kompani ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së ujit dhe përdorimit të tij me përgjegjësi nga të gjithë qytetarët.

banner

“Uji është një pasuri e pazëvendësueshme që kërkon kujdes të vazhdueshëm. Çdo individ ka rol në mbrojtjen dhe kursimin e tij, duke filluar nga praktikat e përditshme”, thuhet në reagimin e KRU ‘Prishtina’.

Tutje, institucioni apelon për edukimin e komunitetit mbi rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore.

“Ndërgjegjësimi dhe edukimi janë çelësi për të siguruar që edhe brezat e ardhshëm të kenë qasje në ujë të pijshëm të sigurt”, theksohet më tej në komunikatë.

Dita Botërore e Ujit shënohet çdo vit më 22 mars, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit global për rëndësinë e ujit dhe nevojën për menaxhim të qëndrueshëm të tij.

Sipas të dhënave ndërkombëtare, rreth 2.2 miliardë njerëz në botë nuk kanë qasje në ujë të pijshëm të sigurt, ndërsa rreth 3.5 miliardë nuk kanë sanitacion të sigurt.

“Shifrat globale tregojnë se sfidat mbeten serioze dhe kërkojnë angazhim të përbashkët në të gjitha nivelet”, thuhet në njoftim.

Në Kosovë, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, mbi 99 për qind e mostrave të ujit të testuara rezultojnë brenda standardeve të sigurisë. Megjithatë, sfida vazhdojnë të jenë të pranishme në zonat rurale dhe në vendbanimet që nuk kanë furnizim të centralizuar me ujë.

Këtë vit, Dita Botërore e Ujit shënohet me moton “Uji dhe Barazia Gjinore”, duke vënë theksin në qasjen e barabartë dhe të drejtë në ujë për të gjithë.

“Qasja në ujë nuk është vetëm çështje infrastrukture, por edhe e drejtë themelore që lidhet ngushtë me barazinë dhe dinjitetin njerëzor”, përfundon reagimi i KRU ‘Prishtina’

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy