Kryetari i naftëtarëve Fadil Berjani ka deklaruar se çmimet e derivateve në Kosovë aktualisht janë në lëvizje për shkak të zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare, duke theksuar se nuk mund të parashikohen çmimet për ditët në vijim.
Sipas tij, çmimet me pakicë sillen rreth 1.70 deri në 1.78 euro për dizelin dhe 1.30 deri në 1.42 euro për benzinën, ndërsa çmimi furnizues ka qenë rreth 1.74 euro.
Ndërkohë, Berjani ka bërë të ditur se i ka dërguar letër kryeministrit Albin Kurti, Hekuran Muratit dhe Mimoza Kusari-Lilës duke kërkuar heqjen e përkohshme të TVSH-së për derivatet e naftës.
Ai theksoi se kjo masë do të ndikonte drejtpërdrejt në uljen e kostos për qytetarët, në kushtet e rritjes së çmimeve.
Sipas tij, nga të dhënat e fundit, qytetarët aktualisht paguajnë rreth 0.62 euro për litër në buxhetin e shtetit, krahasuar me rreth 0.52 euro më herët, duke reflektuar rritje të ngarkesës nga TVSH-ja prej 0.10 euro për litër.
“Kjo masë do të ndikonte drejpërdrejt në uljen e kostos për konsumatorin final, përkatësisht për qytetarët e Kosovës, duke ofruar një lehtësim të menjëherëshëm dhe të prekshëm në kushtet aktuale të rritjes së kostos së jetesës. Bazuar në të dhënat e fundit, me datën 21.03.2026, qytetari paguan rreth 0.62 për litër në buxhetin e shtetin, ndërsa më 21.03.2026, kjo vlerë ishte rreth 0.52.Kjo tregon se përveç rritjes së çmimit në tregjet ndërkombëtare, është evidentuar edhe një rritje e ngarkesës nga TVSH-ja prej 0.10 euro për litër”, thuhet tutje në letrën që Berjani dërgoi Kurtit dhe ministrave. /GazetaBlic

