Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka përkujtuar martirët e Suharekës përmes homazheve në disa prej pikave kryesore memoriale, duke theksuar se dhimbja për viktimat mbetet ende e gjallë dhe se drejtësia nuk është vënë plotësisht në vend.
Gjatë vizitave te Obelisku i Martirëve, në Qendrën Memoriale të Masakrës së Berishëve dhe te Memoriali i Varrezave të Berishëve, Hoxhaj ka bërë homazhe dhe ka nderuar kujtimin e viktimave të masakrës.
“Dhimbja për martirët e Suharekës mbetet e gjallë dhe plagët e asaj dite nuk janë mbyllur ende,” është shprehur ai.
Duke u ndalur te masakra ndaj familjes Berisha, Hoxhaj ka theksuar se ajo vazhdon të jetë një plagë e hapur për shoqërinë kosovare.
“Masakra ndaj familjes Berisha është plagë e hapur dhe kujtesë se drejtësia ende nuk ka folur sa duhet,” ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se këto homazhe janë një riafirmim i përkushtimit për drejtësi dhe për të mos harruar krimet e kryera gjatë luftës.
“Përulemi me respekt dhe riafirmojmë zotimin për drejtësi dhe mosharresë,” ka thënë ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj.
Në fund, ai ka nderuar të rënët me mesazhin: “Lavdi të rënëve për liri.”

