Vrasja në Volljakë të Klinës, mbrojtja kërkon nga Apeli dënim më të butë e Prokuroria më të ashpër

by Nexhat

Në Gjykatën e Apelit të enjten është mbajtur seanca e kolegjit të gjyqtarëve në të cilën u elaboruan ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Nderim, Ardit, Agron, Bahri dhe Basri Gashit, ajo e Prokurorisë Themelore në Pejë, si dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar- familjes Hoxha, avokatit Fanol Krasniqi, ankesa këto të paraqitura ndaj vendimit të Themelores, me të cilin pesë të akuzuarit u dënuan me 44 vjet burgim (në total).

Nderim, Basri, Agron, Ardit dhe Bahri Gashi, akuzohen për rastin e vrasjes së F.H., në Volljakë të Klinës.

banner

Kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit ishte në përbërje të Valbona Musliu-Selimaj- kryetare, Xhevdet Abazi- gjyqtar referues dhe Kadrije Goga-Lubishtani- anëtare e kolegjit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari referues Abazi njoftoi se Prokuroria Themelore në Pejë nuk ka paraqitur ankesë sa i përket të akuzuarit Nderim Gashi, por për të akuzuarit e tjerë, duke propozuar dënim më të ashpër ndaj tyre.

Prezent ne emër të palëve të dëmtuara: Muhamet, Albert dhe Dinora Hoxhaj, ishte përfaqësuesi avokati Fanol Krasniqi, i cili tha se vendimi i parë i Gjykatës së Apelit kur kishte kthyer rastin në rigjykim, kishte dhënë urdhra dhe jo rekomandime.

Sipas avokatit Krasniqi, Apeli në rast se ka parë se duhet vendosje tjetër, është dashur që të vendosë vetë për herën e parë kur kishte kthyer rastin në rigjykim. Tha se në përvojën e tij nuk ka parë asnjëherë më shumë konstatime sesa kur Apeli kishte kthyer rastin në rigjykim, duke thënë se në 27 vende se nuk ka bashkëkryerje.

Më pas, avokati Krasniqi kërkoi nga Apeli që të gjithë të akuzuarit të dënohen për bashkëkryerje në vrasje të rëndë, për faktin se mes tyre ka ekzistuar komunikimi dhe bashkëpunimi për kryerjen e vrasjes.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Nderim Gashi, avokati Emrush Kastrati tha se hetimi nga hetuesit është dëmtuar pasi janë hetuar provat në vendngjarje. Sipas tij, maksimumi që mund të dënohet klienti tij është për vrasje nga pakujdesia.

Në anën tjetër, vetë i akuzuari Nderim tha se nuk kishte armë me vete dhe se armën e kishte marrë nga i dëmtuari Mahmut, duke shtuar se nuk kishte qëllim vrasjen. I akuzuari tha se po kërkon drejtësi, dhe që në rast se dënohet, të dënohet për vrasje nga pakujdesia.

Për të akuzuarin Bahri Gashi, avokati Gani Kelmendi dhe për të akuzuarin Ardit Gashi, avokatja Majlinda Kollaçku, propozuan që ankesa të aprovohet dhe ndaj klientëve të tyre të shqiptohet dënim më i butë.

Në anën tjetër për të akuzuarin Basri Gashi, avokati Ruzhdi Gashi tha se nuk ka asnjë provë që klenti tij është dënuar për ndihmë në veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, duke shtuar se provat e siguruara gjatë procedurës janë marrë në kundërshtim me normat ligjore.

Ndërkaq për deklarimet e avokatit Krasniqi, avokati Ruzhdi Gashi tha se me deklarimet e tij si përfaqësues i palës së dëmtuar, ka zmadhuar rrethanat e rastit duke krijuar nxitje mes familjeve.

Ndërkaq, për të akuzuarin Agron Gashi, avokati Muhamet Ibraj nuk ishte prezent, por përmes ankesës i ka propozuar Gjykatës që ndaj klientit të tij të shqiptohet dënim më i butë.

Më pas, seanca përfundoi dhe se Gjykata njoftoi që brenda afatit ligjor do të pranohet vendimi i kësaj Gjykate.

Ndryshe “Betimi për Drejtësi” kishte siguruar incizimin e seancës së shpalljes së aktgjykimit, ku Nderim Gashi ishte dënuar me 28 vite burgim, ndërsa Basri, Agron, Ardit dhe Bahri Gashi me nga 4 vite secili për vrasjen e F.H., që kishte ndodhur në Volljakë të Klinës. Në total, në rigjykim ishin shqiptuar 44 vite burgim, përderisa në gjykimin e parë ishin shqiptuar 84 vite burgim në total për të akuzuarit.

Pas vendimit të dytë të Themelores, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar se vëllai i të vrarit në Volljakë të Klinës, F.H., Mahmut Hoxhaj dyshohet se për hakmarrje ka plagosur dy persona pasi Gjykata Themelore në Pejë shqiptoi 44 vite burgim për pesë të akuzuarit për vrasjen që kishte ndodhur më 2022. Ai i kishte pritur viktimat në parking dhe kishte shtënë në drejtim të dy personave. Policia e kishte arrestuar menjëherë në vendin e ngjarjes.

Njëri nga të plagosurit ishte Basri Gashi, i cili është i akuzuar në rastin e vrasjes së vëllait të Hoxhajt, i cili më 17 tetor pas shpalljes së aktgjykimit u lirua nga masa e paraburgimit. I plagosuri tjetër ishte A.U., i cili kishte shkuar t’i marrë Gashin dhe tjerët që ishin liruar nga paraburgimi.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e përmirësuar më 3 shkurt 2023, ngarkonte gjashtë të akuzuarit: Nderim Gashi, Basri Gashi, Agron Gashi, Ardit Gashi, Bahri Gashi dhe Ylli Gashi, për “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Nderim, Basri, Agron, Ardit dhe Bahri, më 28 prill 2022, rreth orës 20:30, në fshatin Volljakë, Komuna e Klinës, në parkingun e restorantit “Villa Park”, të përgatitur paraprakisht dhe duke vepruar në bashkëkryerje, e me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, privojnë nga jeta viktimën F.H., duke vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë. Kurse, Ylli Gashi akuzohej se ndihmoi në kryerjen e vrasjes, duke siguruar armën për të pandehurin Nderim Gashi./BetimipërDrejtësi/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy