Të akuzuarit në rastin e korrupsionit në Ministrinë e Arsimit deklarohen të pafajshëm, veçohet procedura ndaj Mergim Limajt

by Nexhat

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë u mbajt seanca fillestare për rastin e korrupsionit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT). Të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Gjykata konstatoi se nuk ka pengesa për mbajtjen e shqyrtimit fillestar dhe aktakuza u konsiderua e lexuar.

banner

Të akuzuarit kanë 30 ditë për të paraqitur kërkesë për hudhjen e aktakuzës ose kundërshtim të provave.

Për të akuzuarin Mergim Limaj u veçua procedura. Çështja e tij do të trajtohet veçmas për të mundësuar ekonomizimin e procesit gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30.12.2025 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të akuzuarit Arberita Mehmetaj dhe Naim Demiri, në cilësinë e personave zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në bashkëkryerje, akuzohen se nga 02.04.2019 deri më 11.03.2021 në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje, duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar, kanë vepruar në kundërshtim me detyrimet ligjore për t’i mundësuar përfitim të kundërligjshëm grupit të operatorëve “A&F Projekt” SH.P.K., “Fabrika e Mobileve Standard” SH.P.K., N.N.P “Standard Plus” dhe “Shkëmbi-Gllaverë” SH.P.K.

Sipas aktakuzës, në aktivitetin “Blerja e pakove të pajisjeve për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” nuk janë përgatitur specifikime të qarta, duke reduktuar konkurrencën dhe mundësuar kontraktim me çmime deri në 1557% më të larta se tregu, me dëm prej 1,555,419.00 euro. Aktakuza i ngarkon se kanë vendosur kritere selektive që favorizonin operatorin fitues dhe përjashtonin operatorë të tjerë.

Aktakuza i ngarkon se kanë iniciuar procedurë të shkurtuar pa bazë ligjore, kanë lejuar devijime në sasi dhe çmime, duke shkaktuar dëm shtesë prej 137,014.00 euro, si dhe kanë pranuar produkte me origjinë nga Kina dhe Turqia në kundërshtim me kontratën që parashihte origjinë nga BE. Sipas aktakuzës, dëmi total arrin 1,824,970.00 euro.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, ata akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas pikës së dytë të aktakuzës, të akuzuarit Agim Berdyna, Xhemajl Buzuku, Murtez Zekolli, Naim Demiri dhe Arberita Mehmeti, akuzohen se nga 26.10.2020 deri më 27.11.2023, në bashkëkryerje, kanë zhvilluar aktivitet prokurimi në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, duke bashkuar projekte dhe duke iniciuar procedura të paplanifikuara.

Sipas aktakuzës, ata nuk kanë përgatitur specifikime të qarta dhe kanë mundësuar kontraktime me çmime deri në 1900% më të larta se tregu, duke i shkaktuar buxhetit dëm prej 2,148,282.35 euro. Aktakuza i ngarkon se kanë ndryshuar kriteret dhe listat e çmimeve pak para afatit, duke favorizuar operatorë të caktuar dhe duke reduktuar konkurrencën.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, kanë nënshkruar kontrata pa dokumentacion të plotë dhe kanë lejuar furnizime me produkte në kundërshtim me specifikimet kontraktuale.

Sipas pikës së tretë të aktakuzës, Xhemajl Buzuku, Fadile Dyla, Naim Demiri dhe Fehmi Zylfiu akuzohen se kanë mundësuar pagesa shtesë prej 445,519.20 euro në kundërshtim me ligjin.

Në vijim, sipas aktakuzës, pronarët e kompanive përkatëse akuzohen për mashtrim në prokurim publik, përfshirë përdorimin e dokumenteve të falsifikuara dhe deklarimeve të rreme për përmbushje të kritereve, duke përfituar kontrata në vlerë mbi 1.8 milion euro.

Po ashtu, sipas aktakuzës, ata akuzohen se kanë furnizuar produkte më të lira dhe me cilësi më të dobët nga Kina dhe Turqia, në kundërshtim me kontratat që kërkonin origjinë nga BE, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.

Në një rast tjetër, sipas aktakuzës, i pandehuri Isah Elezaj akuzohet se ka paraqitur dokumentacion të rremë për të krijuar konkurrencë fiktive në procedurë të prokurimit publik.

Të gjithë të pandehurit, sipas aktakuzës, akuzohen për veprat penale që lidhen me keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy