Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar dhimbjen e Nënës Ferdonije, duke e cilësuar atë si një nga plagët më të rënda dhe ende të hapura të shoqërisë kosovare.
Ajo rikujtoi se 27 vjet më parë, katër djemtë dhe bashkëshorti i saj u rrëmbyen dhunshëm nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë.
Sipas presidentes, deri më tani janë gjetur eshtrat e dy prej djemve, ndërsa për dy të tjerët dhe bashkëshortin, pritja vazhdon.
“Kjo nuk është vetëm pritja e saj, por e gjithë shoqërisë sonë. Një plagë që ende nuk është mbyllur”, theksoi Osmani.
Ajo e cilësoi historinë e Nënës Ferdonije si dëshmi të dhimbjes së madhe, por edhe të forcës së jashtëzakonshme. “Është dëshmi se dashuria e një nëne nuk dorëzohet kurrë, se kujtesa nuk zbehet dhe se kërkimi për drejtësi nuk ndalet”, ka thënë Osmani.

