Eksperti i sigurisë: Serbia me synime territoriale, mungon reagimi ndërkombëtar

by informim peje

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka deklaruar se veprimet e fundit të ushtrisë së Serbisë dhe aktivitetet ushtarake pranë kufirit me Kosovën dëshmojnë për mungesë reagimi nga faktori ndërkombëtar.

Shala, në një intervistë për Ekonomia Online, theksoi se përveç pranisë ushtarake në brezin kufitar dhe aktiviteteve në Kosovën Lindore, shqetësues mbetet edhe furnizimi i Serbisë me armatim nga Kina. Sipas tij, këto zhvillime nuk duhet të kalojnë pa reagim nga ndërkombëtarët.

banner

“Sa i përket veprimeve të fundit nga ana e ushtrisë së Serbisë, si dhe aktivitetit ushtarak në brezin kufitar me Republikën e Kosovës, përfshirë pjesën e Kosovës Lindore, njëkohësisht edhe çështjet me armatimet që po blihen kohët e fundit nga Kina, dëshmojnë një heshtje të faktorit ndërkombëtar, e cila nuk do të duhej të kalonte pa reagim. Sepse mos harrojmë: një shtet që ka shpallur neutralitet dhe njëkohësisht ka pretendime territoriale në Ballkanin Perëndimor është Serbia. Një shtet me orientim pro-rus dhe pro-Pekin është po ashtu Serbia. Këto dy elemente do të duhej të nxisnin reagim ndërkombëtar, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, tha ai.

Shala theksoi se këto veprime tregojnë se Kosova po përballet me operacione psikologjike dhe informative ushtarake, duke shtuar se ato reflektojnë një qëllim më të gjerë të Serbisë për rikthim territorial, sipas dokumenteve të saj zyrtare.

“Në një aspekt tjetër, ushtrimet e tilla në një zonë të ndjeshme janë më shumë se aktivitete rutinë – ato përçojnë mesazh dhe përbëjnë veprim informativ ushtarak ndaj popullatës me shumicë shqiptare. Kjo tregon se Kosova po përballet me operacione psikologjike dhe informative ushtarake, por njëkohësisht reflekton një përmasë më të gjerë të synimeve të Serbisë për rikthim në territor, sipas dokumenteve të saj zyrtare”, tha ai.

Shala po ashtu vlerësoi se kërcënimet e vazhdueshme nga Beogradi zyrtar ndaj Kosovës janë pjesë e një strategjie të mirëfilltë shtetërore, që përfshin dimensione ushtarake, informative dhe politike.

“Kërcënimet e vazhdueshme nga narrativi i Beogradit zyrtar janë pjesë e një strategjie të mirëfilltë shtetërore. Këto përfshijnë forma të ndryshme – ushtarake, informative dhe politike – dhe japin indicie se Beogradi është rikthyer në qendër të veprimeve destruktive, dezinformuese dhe asimetrike ndaj Republikës së Kosovës dhe rajonit”, tha ai.

Ditë më parë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, është deklaruar lidhur me stërvitjet e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën.

Kurti tha se këto veprime janë provokim nga Serbia, që synon të cenojë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Kosovës, por njëkohësisht, sipas tij, tregojnë edhe pasiguri./eo

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy