Analisti Avni Arifi ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk pritet të rrisë çmimin e energjisë elektrike në këtë kohë, për shkak të ndikimit që një vendim i tillë mund të ketë në votues.
Në një prononcim në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Arifi theksoi se vendi është duke shkuar drejt zgjedhjeve, çka sipas tij po ndikon në vendimmarrjen e qeverisë.
Ai u shpreh se Kurti po kalkulon veprimet e fundit politike, duke shmangur vendime që mund të kenë kosto elektorale. Sipas Arifit, situata është e ngjashme edhe me çështjen e tatimit në pronë, për të cilin, sipas tij, ka pasur plane për zbatim, por ato janë shtyrë.
“Po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe vendime të tilla nuk merren në këtë fazë”, tha Arifi, duke lënë të kuptohet se kalkulimet politike po ndikojnë në politikat ekonomike aktuale.

