Rritja e çmimeve të produkteve në Kosovë shpesh ndodh para se ato të shtrenjtohen në tregjet ndërkombëtare, një fenomen që sipas ligjëruesit të Ekonomisë Edison Jakurti lidhet me strukturën e brishtë ekonomike dhe sjelljen e tregut vendor.
Jakurti thekson se Kosova, si ekonomi e vogël dhe e varur nga importi, reflekton shpejt çdo zhvillim global. Me një Prodhim të Brendshëm Bruto rreth 10 miliardë euro dhe një deficit tregtar mbi 6 miliardë euro, vendi mbetet i ekspozuar ndaj luhatjeve të jashtme. Sipas tij, kjo varësi bën që çdo rritje çmimesh në tregjet ndërkombëtare të përcillet pothuajse menjëherë në tregun vendor.
Ai rikujton se situata të ngjashme janë vërejtur edhe gjatë vitit 2022, pas shpërthimit të Luftës në Ukrainë, kur inflacioni u “importua” në një masë të konsiderueshme edhe në Kosovë.
Megjithatë, përtej faktorëve të jashtëm, Jakurti veçon edhe një element të brendshëm të rëndësishëm: pritshmëritë e tregut. Sipas tij, pasiguria për rritje të ardhshme të çmimeve nxit bizneset që të rrisin çmimet paraprakisht, edhe para se ndryshimet të ndodhin realisht në tregjet globale.
Në këtë kontekst, ai paralajmëron edhe për raste të mundshme abuzimi, ku rritjet e hershme të çmimeve pasohen nga valë të tjera shtrenjtimi kur çmimet ndërkombëtare rriten realisht.
Duke komentuar edhe çështjen e derivateve dhe ndikimin e zhvillimeve gjeopolitike, si tensionet që lidhen me Iran, Jakurti u ndal te politikat fiskale. Ai theksoi se heqja e akcizës do të kishte ndikim më të madh në uljen e çmimeve, por njëkohësisht do të prekte ndjeshëm edhe buxhetin e shtetit, krahasuar me uljen apo heqjen e TVSH-së.
Në tërësi, sipas tij, rritja e çmimeve në Kosovë është rezultat i një kombinimi faktorësh të jashtëm dhe të brendshëm, që e bëjnë tregun vendor më të ndjeshëm dhe më të shpejtë në reagim ndaj zhvillimeve globale.

