Deri në 20 denoncime në ditë për ushqime të skaduara, kërkohen më shumë inspektorë

by Nexhat

10 deri në 20 denoncime brenda ditës bëhen nga qytetarët e vendit për produkte ushqimore me afat të skaduar.

Kështu, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha.

banner

Por, pavarësisht kësaj, Hoxha ka deklaruar se Agjencia po përballet me numër të vogël të inspektorëve.

“Më bëtë një pyetje shumë të vështirë. Nuk i kam statistikat e sakta unë, gjatë elaborimit tim, prezantimit tim, i prezantova disa prej të dhënave që është një numër i madh i denoncimeve gjatë vitit në raport me pyetjen që e bëtë. Realisht, gjatë ditës kemi 10 deri në 20 denoncime sa i përket sigurisë ushqimore, te pjesa e skadencës, ushqimet e prishura. Në ato momente, inspektorati jonë reagon shumë shpejt në përputhje me bazën ligjore që e ka dhe vepron në kuadër të legjislacionit në fuqi. Realisht, me numrin e inspektorëve që posedon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, janë 83 në fushën e veterinarisë dhe fitosanitarisë. Prej tyre, gjysma janë në pikat kufitare, gjysma tjetër përfshin këtë pjesën e inspektoratit të brendshëm, që i bie është numër goxha i ulët në raport me vendet e tjera të rajonit. Po shpresojmë, besojmë që do të rritet numri i inspektorëve sa më shpejt që është e mundur”, tha Hoxha për EO.

Ai tha se ka një fluks të madh të denoncimeve brenda ditës, sa i përket ushqimeve me afat të skaduar, por se ka edhe një thirrje për qytetarët e vendit.

“Varësisht prej denoncimeve që bëhen. Ne i kemi planet e kontrolleve zyrtare që zakonisht janë të planifikuara, mirëpo fatkeqësisht ne shumë shpesh dalim prej planit të kontrolleve zyrtare për shkak të denoncimeve që bëhen në baza ditore. Kemi raste kur kemi 3, 4, 20, 10 varësisht se si veprohet. Andaj unë u bëj apel edhe qytetarëve, konsumatorëve, në momentin që kanë fakte në raport me afatet e skadencës, ushqimet e prishura që kanë dyshime, të raportojnë sa më shpejt që është e mundur. Bashkërendimi ose bashkëpunimi me konsumatorin, me qytetarin, është shumë i rëndësishëm që ne të bëjmë veprimin tonë sa më efikas në terren”, tha Hoxha.

I pari i AUV-it shpjegoi formën ndëshkuese ndaj bizneseve në të cilat hasen parregullsi sa i përket sigurisë ushqimore.

Hoxha, kërkoi rritje të buxhetit dhe shtim të numrit të inspektorëve.

“Në raport me legjislacionin në fuqi, inspektorët që e kanë, ne zakonisht përpilojmë procesverbalin në momentin që dalin në terren. Inspektorët e evidentojnë, hartojnë procesverbalin dhe e përcjellin si çështje kundërvajtëse. Ne nuk kemi si agjencion ose si inspektorat që kemi veprime mandatore, që i bie që mund të shqiptojmë gjobën aty për aty. E jona është me dalë në terren, me evidentua rastin, me bë procesverbalin edhe procedohet për gjykatë për çështje të kundërvajtjes. Fillimisht të rritet buxheti. Të rritet numri i inspektorëve, posaçërisht në këtë pjesën e sigurisë ushqimore. Definitivisht duhet t’i kushtohet rëndësi e madhe sigurisë ushqimore, të rritet numri i inspektorëve që të jemi më efikas në raport me denoncimet që bëhen në baza ditore prej konsumatorëve, gjegjësisht qytetarëve”, tha Hoxha

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy