Prokuroria e Prishtinës e ka ndaluar një person të dyshuar për vjedhjen e rreth nëntë kilogramë ari, në vlerë prej një milion euro.
I dyshuari XH.V. dyshohet për vjedhje të rëndë, sipas një njoftimi të Prokurorisë së Prishtinës.
“Gjatë bastisjes në banesën e të dyshuarit, është gjetur dhe sekuestruar një (1) armë pa leje, si dhe një (1) diamant, me urdhër të prokurorit të shtetit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Po ashtu, ndaj pasurisë së të pandehurit, përkatësisht një veturë të tipit BMW X6 dhe një banesë në lagjen Tophane, në vlerë rreth 110.000 euro, do të lëshohet urdhër i përkohshëm ndalimi, si dhe do të parashtrohen kërkesa për urdhër ndalues përfundimtar lidhur me pasurinë e sekuestruar”, thuhet tutje në njoftim.
Prokurori i shtetit, brenda afatit ligjor, do të paraqesë në gjykatën kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

