Cilat janë përfitimet e Presidentes pas përfundimit të mandatit?

by Nexhat

Me 4 prill, Vjosa Osmani përfundon mandatin e Presidentes, duke kaluar në statusin e ish-Presidentes së Republikës, një status që, përveç simbolikës, shoqërohet me një sërë përfitimesh të garantuara me ligj.

Ligji për Presidentin e Republikës së Kosovës përcakton në mënyrë të detajuar të drejtat që i takojnë një ish-kreu të shtetit, duke përfshirë përfitime financiare, mbështetje institucionale dhe privilegje të veçanta.

banner

Një nga përfitimet kryesore është pensioni i përhershëm. “Presidenti i Republikës së Kosovës pas përfundimit të mandatit ka të drejtë në pension, shuma e të cilit është shtatëdhjetë përqind (70%) e pagës që merr Presidenti i Republikës së Kosovës”.

Pra, Osmani do të përfitojë rreth 70% të pagës aktuale presidenciale, një shumë që përkthehet në rreth 2 mijë euro në muaj.

Përfitimet nuk ndalen këtu. “Presidenti/ja dhe familja e tij/saj kanë të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime mjekësore gjatë tërë jetës”. Pra, jo vetëm ish-Presidentja, por edhe familja e saj, përfitojnë mbulim të përhershëm shëndetësor në institucionet publike dhe ushtarake.

Vjosa Osmani-Sadriu, pas përfundimit të mandatit, siç është e përcaktuar me këtë ligj, do të vazhdojë ta përdorë pasaportën diplomatike të Republikës së Kosovës gjatë tërë jetës. Fëmijët e saj e kanë këtë të drejtë deri në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare.

Ky ligj parasheh edhe një periudhë tranzitore: “Presidenti/ja ka të drejtë në kompensim monetar kalimtar për një periudhë shtatëmujore”.

Ky kompensim përdoret për mbulimin e shpenzimeve si zyrë, staf, komunikim dhe shërbime të tjera gjatë kalimit në jetën private.

Edhe pas mandatit, angazhimi institucional vazhdon.

“Ish-Presidenti/ja ka të drejtë për pesë vjet në hapësirë zyreje, pajisje dhe personel profesional deri në tre persona”. Kjo i mundëson ish-Presidentes të mbetet aktive në jetën publike dhe institucionale.

Siguria është një tjetër element i rëndësishëm. “Ish-Presidenti/ja ka të drejtë në përcjellje zyrtare për tri vjet pas përfundimit të mandatit”. Ndërkohë, statusi i saj mbetet i veçantë edhe në aspektin protokollar.

Ligji përcakton se titulli ‘President’ vazhdon të përdoret edhe pas përfundimit të mandatit.

“Ish-Presidenti/ja dhe bashkëshorti/ja vazhdojnë ta përdorin pasaportën diplomatike gjatë tërë jetës”. Po ashtu, ish-Presidentja merr pjesë në ceremoni shtetërore sipas rendit protokollar dhe përfiton mbështetje financiare për aktivitetet e saj në këtë cilësi.

Të gjitha këto përfitime janë të garantuara me ligj dhe mund të ndryshohen vetëm nga Kuvendi i Kosovës

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy