Çmimet e derivateve janë rritur me rreth 40 për qind krahasuar me datën 28 shkurt 2026 kur nisën sulmet. Rrjedhimisht, janë rritur kostot e prodhimit dhe operimit të bizneseve, të cilat kosto po barten tek çmimet e produkteve të konsumit dhe produkteve të ndërmjetme. Për shkak të integrimit të madh të tregjeve globale, përvoja ka treguar se këto efekte zinxhirore janë relativisht të shpejta në mbarë botën. Pa asnjë dyshim se kjo krizë do të rezultojë me çmime më të larta dhe me rritje ekonomike më të ulët.
Kosova nuk përbën përjashtim nga ky rregull dhe pasojat kanë filluar të ndihen gjerësisht. Praktikat ndërkombëtare tregojnë se në kriza të tilla vendet preken në mënyrë asimterike. Ekonomitë që karakterizohen me import të lartë, në veçanti me import të energjisë, natyrshëm preken më së shumti. Ekonomitë me të ardhura të ulëta preken gjithashtu më shumë, pasi në këto ekonomi rreth 36 e shpenzimeve të konsumit shkon në ushqime, krahasuar me 20 për qind në ekonomitë në zhvillimdhe 9 për qind në ekonomitë e avancuara (të dhëna nga FMN). Kosova i përmbush të dy kushtet për tu renditur ndër ekonomitë që pritet të preken më së shumti nga kjo krizë.
Përse masa e ndërmarrë nga Qeveria ështëgabim?
Për tu përballur me këtë krizë, Qeveria e Kosovës e ka ndërmarrë vetëm një masë: i ka përcaktuar marzhat e fitimit për bizneset që merren me derivate.Gama e gjerë e masave të nevojshme në raste të tilla nuk është shqyrtuar fare nga Qeveria. Kjo qasje është e çuditshme kur kihet parasysh rritja e deritashme prej 40 për qind e çmimit të derivateve.
Kjo masë e Qeverisë nuk është adekuate për dy arsye.
E para, caktimi i marzhës së fitimit e mbanë fitimin e biznesit brenda një kufiri të caktuar, por iu mundëson bizneseve që çdo rritje e çmimit në tregjetndërkombëtare ta bartin plotësisht tek konsumatori.Me këtë masë, bizneset nuk kanë asnjë nxitje të ulin shpenzimet. Kështu që, konsumatori jo që nuk mbrohet, por e paguan plotësisht rritjen e çmimit të derivateve.
E dyta, përvoja dëshmon se intervenimet e tilla, në dukje tërheqëse për qytetarin, e përkeqësojnësituatën. Këto lloj intervenimesh bëjnë që, në pamundësi të operimit brenda marzhave të fitimit të përcaktuara nga Qeveria, disa biznese të dalin nga tregu. Rrjedhimisht, konkurrenca dëmtohet pasi tregu koncentrohet në pak biznese. Ato biznese që mbesin në treg mund të përballojnë marzha të ulëta për shkak të “ekonomizimit të shkallës” – që nënkupton se rritja e qarkullimit të tyre, që rezulton nga rritja e pjesëmarrjes së tyre në treg, mundëson uljen e kostove mesatare për njësi (pasi kostot fikse mbesin të pandryshueshme).
Cili është roli ligjor dhe kushtetues i Qeverisë në situata të tilla?
Sigurisht se Kosova e ndan fatin me pjesëmarrësit e tjerë në tregjet globale, siç edhe përfiton kur zhvillimet në këto tregje janë të favorshme. Në situata si kjo që po kalojmë, shteti e ka për obligim: (1) të mbrojë konsumatorin duke marrë vetë përsipër një pjesë të barrës, ndërkaq pjesën tjetër ta shpërndajë në shoqëri në mënyrë të balancuar; (2) të parandalojë sjelljet abuzive në treg që mund të ndodhin në situata të tilla dhe të ruajë konkurrencën, si dhe (3) të punojë ngushtë me bizneset për përballimin e situatës.
Në kontekst të këtyre tri obligime që ka shteti, masatduhet të jenë balancuese dhe të lidhura e të kushtëzuara nga njëra-tjetra. Masat, para se gjithash, duhet të përfshijnë kontrollin e tregut, i cili duhet të jetë ligjor dhe kushtetues për të mos cenuar liritë ekonomike dhe për të parandaluar monopolizimin e ofertës së tregut, që do të kishte pasoja edhe më të mëdha për konsumatorin e fundit se rritja e aktuale e çmimit. Duhet gjithashtu të ndërmerren masa që ulin përgjithësisht kostot shoqërore nga rritja e çmimit të derivateve. Kostot e pa evitueshme duhet shpërndarë gjerësisht mes shtetit, bizneseve dhe konsumatorëve.
Cilat janë masat konkrete që duhet të ndërmarrë Qeveria?
E para, inspektorati i tregut duhet të monitorojë tregun në baza ditore për të konstatuar: sa po rritet çmimi i furnizimit dhe deri në çfarë mase kjo rritje po bartet në çmimin për konsumatorë. Duhet të përgatitet raport ditor për këtë çështje, i cili bëhet transparent për publikun. Të gjitha të dhënat për tregun e derivateve duhet të digjitalizohen, përfshirë këtu: importuesit, sasitë e importuara, burimin e furnizimit, çmimet furnizuese, shpërndarjen në tregun vendor, konsumin sipas destinimit etj. Kjo qasje mundëson monitorim institucional të tregut, e rrit konkurrencën dhe eviton sjelljet abuzuese pa pasur nevojë për inspektime dhe masa penalizuese.
E dyta, duhet të aktivizohet Komisioni i Konkurrencës pasi rritja aktuale e çmimeve të derivateve është ndër raste më të veçanta historikisht. Ky është rast tipik ku, për shkak të luhatjeve të mëdha në çmime, Komisioni i Konkurrencës duhet të angazhohet në veprime parandaluese (ex-ante) sipas detyrës zyrtare, e jo të presë paraqitjen e pasojave dhe pastaj ndërmarrjen e veprimeve të natyrës hetuese dhe penalizuese.
E treta, duhet të ulet akciza në derivate, e cila mundtë ulet deri në 36 cent për litër pa shkaktuar asnjë ndryshim në të hyrat buxhetore. Duke qenë se të hyrat buxhetore nga TVSH-ja në derivate rriten si rezultat i rritjes së çmimit, Qeveria ka mjaftueshëm hapësirë për të ulur akcizën proporcionalisht me rritjen e të hyrave të saj nga TVSH-ja shtesë që mbledh në derivate.
E katërta, duhet të subvencionohen bujqit për derivatet për bujqësi. Kjo mund të bëhet përmes subvencionimit drejtpërdrejt të bujqve për sasinë e naftës që ata blejnë në treg për nevoja bujqësore. Kjo sasi përcaktohet nga shteti sipas normativave për sasinë e derivateve të nevojshme për hektarë toke bujqësore që punohet, për të cilën aktualisht ndahen subvencione. Forma tjetër e subvencionimit përfshinë lirimin nga akciza dhe TVSH-ja për naftën që bujqit e blejnë në pikat e derivateve për qëllime bujqësore, sërish duke përdorur normativat dhe të dhënat për tokën bujqësore të punueshme, për të cilën bujqit subvencionohen. Forma e parë është më lehtë e menaxhueshme dhe mund të përdoret infrastruktura e Ministrisë së Bujqësisë për subvencionim dhe verifikim.
E pesta, përveç këtyre masave që duhet të jenë të menjëhershme, duhet menduar për investime në deponi të derivateve në sasi të mëdha, të mjaftueshme për periudha të luhatjeve në tregje sikurse kjo që po ndodh tani. Përvoja të investimeve të tilla ka mjaft, si përmes investimeve shtetërore, ashtu edhe publik-private ose kontraktimit të sektorit privat.

