Më 5 prill ka përfunduar mandati i presidentes, Vjosa Osmani dhe deri më tani ende nuk ka një marrëveshje konkrete mes pozitës dhe opozitës për zgjedhjen e presidentit të ri, ndonëse takimet mes liderëve kanë rifilluar.
Sot, kryeministri Albin Kurti zhvilloi një takim me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas së cilit konfirmoi se nuk ka ndonjë lëvizje të re, por u shpreh optimist se një marrëveshje mund të arrihet në javët në vijim.
Ai theksoi se është sfidë e madhe sigurimi i votave të mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit dhe përmendi se kandidati i tyre, Glauk Konjufca, është zyrtarizuar në fillim të marsit.
Sipas Kurtit, atmosfera konstruktive dhe dëshira për të shmangur zgjedhjet e reja e bëjnë atë optimist për arritjen e një marrëveshjeje.
Në anën tjetër, Abdixhiku u shpreh më i rezervuar, duke paralajmëruar se nëse nuk ka progres brenda tri javësh, zgjedhjet do të jenë të pashmangshme, njofton Klankosova.tv.
Ai tha se përpjekjet për një zgjidhje po vazhdojnë, por ende nuk ka emra konkretë të dakorduar dhe shtoi se jo të gjitha pozitat shtetërore duhet t’i takojnë një partie të vetme.
Ndërkohë, Kurti ka paralajmëruar përpjekje për takim edhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, duke theksuar se presidenti duhet të jetë figurë uniteti dhe jo përfaqësues i një apo dy partive. Ai kritikoi PDK-në për mungesë të emrave konkretë, duke thënë se nuk mund të ketë marrëveshje pa propozime të qarta.
Nga ana tjetër, PDK ka reaguar duke kërkuar që iniciativa për takim të formalizohet përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të trajtohet me seriozitet institucional.
Ata kanë bërë të ditur se pas një kërkese të tillë, çështja do të shqyrtohet në organet e partisë dhe më pas do të merret një qëndrim përfundimtar.
Në këtë situatë politike, edhe qytetarët kanë shprehur mendimet e tyre lidhur me mundësinë e një marrëveshjeje mes pozitës dhe opozitës.
Klankosova.tv ka bërë një pyetje në faqen zyrtare në Facebook se: A mendoni që Albin Kurti do të arrijë marrëveshje me opozitën për presidentin?
Shumica e përgjigjeve të qytetarëve reflektojnë një mungesë besimi se një gjë e tillë do të ndodh.
Disa prej tyre janë:
“O jo, nuk mundet kush të dakordohet me këtë mashtrues.”
“Kurrë hiç.”
“Me këtë veprim të pozitës kurrë nuk do të arrihet marrëveshje.”
“S’e besoj.”
“S’ka marrëveshje.”
“Kurrë jo, s’do opozita.”
“Jo more, s’duhet me shku në takim hiç.”
“Ja, kurrë nuk ka marrëveshje me këtë njeri.”
“Jo hiç, vetëm lojëra janë këto.”
“Jo, nuk besoj.”
“Vetëm zgjedhje.”
“Jo, veç do të dalin në vota, në fund populli vendos.”
“Ata nuk duan marrëveshje, duan vetëm zgjedhje.”

