Tahiri: Dy seanca, 7 ditë dhe 32 milionë euro dëm për Prishtinën, skandal juridik dhe vendim i papranueshëm

by Nexhat

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar ndaj një vendimi të fundit gjyqësor që obligon Ndërmarrjen Publike Banesore të paguajë mbi 32 milionë euro në emër të “fitimit të humbur”, duke e cilësuar atë si një “rast të paprecedentë dhe tejet të dëmshëm për buxhetin e Prishtinës”.

Sipas Tahirit, i gjithë procesi gjyqësor ka zgjatur vetëm shtatë ditë dhe është zhvilluar në vetëm dy seanca, për të përfunduar me një vendim që favorizon një konsorcium kompanish private mbi bazën e një kontrate të kundërligjshme, e cila më herët ishte rrëzuar nga Gjykata e Apelit.

banner

Ai thotë se pasi dështuan ta përvetësojnë pronën publike në qendër të Prishtinës “grupet në fjalë tani po tentojnë të përfitojnë mbi 32 milionë euro nga taksat e qytetarëve përmes një vendimi që, sipas tij, sfidon çdo logjikë juridike dhe ekonomike”.

“Është hera e parë në Kosovë që një projekt që nuk ka nisur kurrë, ku nuk është vendosur asnjë tullë dhe nuk ka pasur zbatim real, shpërblehet me ‘fitim të humbur’ në këtë nivel”, ka deklaruar Tahiri.

Ai rikujton se bëhet fjalë për një kontratë të vitit 2021, të lidhur gjatë mandatit të Lëvizjes Vetëvendosje ndërmjet Ndërmarrjes Publike Banesore dhe kompanive private, e cila kishte qenë e bllokuar për vite për shkak të paligjshmërive dhe ishte pezulluar edhe nga gjykata penale.

Sipas tij, vendimi i fundit i Gjykatës Komerciale përbën një “aktgjykim skandaloz”, që rrezikon të gllabërojë gati një të katërtën e buxhetit të kryeqytetit, i cili kap vlerën rreth 150 milionë euro.

Tahiri ngriti shqetësime edhe për mënyrën se si është zhvilluar procesi, duke përmendur një urgjencë të pashpjegueshme dhe një ekspertizë joprofesionale, ndërsa barra financiare i është lënë NPB-së, pavarësisht se ajo kishte detyrim të respektonte vendimet e mëhershme gjyqësore.

Ai kërkoi që ky vendim të rrëzohet nga Gjykata e Apelit, duke theksuar se çështja nuk është vetëm juridike, por lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e parasë publike dhe interesin e qytetarëve të Prishtinës.

Në reagimin e tij, Tahiri akuzoi gjithashtu për ndikime të grupeve të interesit brenda Gjykatës Komerciale, të lidhura, sipas tij, me “oligarkë të pushtetit”, por shtoi se beson se në këtë institucion ka edhe gjyqtarë të ndershëm që do të mbrojnë drejtësinë.

Në fund, ai bëri të ditur se vendimi tashmë është kundërshtuar me ankesë nga zyra e avokatit Faton Fetahu, i cili ka punuar pro bono gjatë gjithë procesit, duke paralajmëruar se beteja ligjore do të vazhdojë deri në rikthimin e ligjshmërisë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy