Prokuroria Themelore në Prishtinë- Departamenti i Përgjithshëm, njofton se me urdhër të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48 orë i dyshuari Sami Berisha, nën dyshimin për kanosje në drejtim të redaksisë së “Betimi për Drejtësi” dhe gazetarit Betim Musliu, pas publikimit të një raporti nga një seancë gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në një rast ku ishin të përfshirë familjarët e të pandehurit.
I dyshuari ka shkruar në mesazhet private në faqen zyrtare të “Betimi për Drejtësi”, ku është paraqitur si vëllai i të akuzuarve për vrasjen e dyfishtë në Kolovicë, Ahmet dhe Naim Berisha. Ky i fundit, ende ndodhet në arrati.
“Kujdes qka po shenon mos u mashtro me marr naj pare se tani tvyn mi perdor per najsen tjeterdija vleren shendetit sepse parja sesht asgje se shum her te kam pa veq kunder ke shenu per vllezrit e mi tash je ndal pak po tjesh ma i kujdesshem se edhe na i kem do familjar qe shohin lajme e percjellin kapak”, thuhet në mesazhin kërcënues.
Mesazhi i tij ka ardhë pas publikimit të raportit nga seanca e 24 prillit 2026 me titull “Edhe miliardat me m’i dhënë, djali jem nuk ngjallet”, ka deklaruar nëna e të ndjerit në rastin e vrasjes së dyfishtë në Kolovicë“.
I dyshuari ka vazhduar të shkruajë dhe të akuzojë redaksinë për urrejtje ndaj familjarëve të tij, përkatësisht dy vëllëzerve të akuzuar për vrasje të dyfishtë. Ai ka pretenduar se kinse Betim Musliu ka diçka personale në raportimin për rastin e vëllezërve të tij dhe të tjerëve të akuzuar për vrasje të dyfishtë, duke e përmendur një rast të një familjari të tij, që pretendonte se ndërlidhej me vëllain e tij, tani të akuzuarin Ahmet.
Pas denoncimit të rastit, Prokuroria njofton se i dyshuari u ndalua.
“Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari S.B. dyshohet se përmes rrjeteve sociale e kanosur gazetarin B.M., për shkak se në portalin ‘’Betimi për drejtësi’’ ishte publikuar monitorimi i një seance gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në të cilën ishin përfshirë familjarët e të pandehurit S.B., në një çështje penale”, njofton Prokuroria.
I dyshuari Sami Berisha u ndalua nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Kanosja’’, sipas nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore ne përputhje me ligjin dhe mbetet e përkushtuar në mbrojtjen dhe garantimin e sigurisë së tyre, si dhe në respektimin e plotë të lirisë së shprehjes”, njofton Prokuroria.

